Qendra Inner Life realizoi me sukses retreat-in e radhës me temë “Fuqizimi i Liderit”. Ky retreat 3 ditor u realizua në datat 4-5-6 Nëntor 2022, me pjesëmarrës shumë energjikë nga administrata e Kosovës. Qëllimi i këtij retreat-i ishte mundësimi i një fundjave relaksuese po aq sa edukuese për pjesëmarrësit tanë.
Trajnerët
Dr. Fleura Shkëmbi- Psikologe klinike, Hipnoterapiste, Life Coach, Trajnere e Meditimit Mindfulness dhe Administratore e qendrës Inner Life.
Dr. Fleura mbuloi një pjesë të gjerë të trajnimit ku u trajtuan tematika si aftësitë e buta të një lideri, mënyrat e motivimit të vetes e të skuadrës si dhe krijimi i një lidhjeje të qenësishme me skuadrën apo me komunitetin.
Prof. Asoc. Dr. Nazmi Xhomara – Kërkues Shkencor në fushën e Shkencave të Edukimit, Lektor pranë Universitetit Luarasi dhe Universitetit të Tiranës dhe autor i librave dhe artikujve të shumtë shkencorë.
Prof. Asoc. Dr. Nazmi Xhomara iu bashkua retreat-it tonë duke mundësuar për pjesëmarrësit një informacion të gjerë mbi stilet e lidershipit dhe se si të drejtojmë në përputhje me stilin tonë vetjak të lidershipit për të arritur potencialin më të lartë të mundshëm si drejtues.
MSc. Drita Kolndreu- Life Coach me eksperiencë shumëvjeçare në rol drejtues në arsim.
MSc. Drita Kolndreu trajnoi pjesëmarrësit për rëndësinë dhe format e komunikimit joverbal. Pjesëmarrësit u aftësuan në analizimin e gjuhës së trupit dhe mënyrave se si mund ta përdorin gjuhën e trupit për të rritur ndikimin tek të tjerët.
Çdo pjesëz trajnimi u alternua me lojëra dhe aktivitete. Nëpërmjet lojërave pjesëmarrësit patën mundësi të ndërvepronin me njëri-tjetrin në një formë zbavitëse, por që në thelb përmbante leksione të rëndësishme për punën në skuadër, rëndësinë e dëgjimit aktiv dhe qëllimeve që duhet të ketë një lider kur udhëheq. Në të njëjtën kohë lojërat nxitën frymën e bashkëpunimit, shkrirjes së skuadrës dhe mirëfunksionimit të grupit për sa kohë janë të orientuar drejt të njëjtit qëllim.
Pa dyshim një retreat tepër i suksesshëm, për të cilin falenderojmë punonjësit e administratës së Kosovës për pjesëmarrjen, sportivitetin dhe të gjithë energjinë pozitive.
Nëse je i interesuar të bashkohesh me retreat-et tona apo t’i dhurosh skuadrës tënde një përvojë me fuqi ripërtëritëse, ju lutem na kontaktoni në format tona të kontaktit