Për një moment, imagjino skenën: është ora dy e natës, dikush nuk fle dot, dhe në vend që të zgjojë partnerin që e ka në krah apo të telefonojë një mik, hap telefonin dhe fillon të shkruajë. Jo një njeriu, por një inteligjence artificiale që përgjigjet menjëherë, nuk gjykon dhe nuk lodhet kurrë. Dhe befas, ndjehet më mirë.
Kjo nuk është më një skenë e rrallë. Për miliona njerëz, është bërë një mënyrë e re për të përballuar vetminë, ankthin apo rutinën e tyre emocionale.
Pse po flasim me AI për problemet tona?
Përgjigjja është më njerëzore sesa mund të duket: ne kërkojmë atë që na mungon aty ku e gjejmë më lehtë.
Një raport i fundit i Institutit të Sigurisë së AI-së në Britani tregoi se rreth një në tre të rritur e përdor inteligjencën artificiale për mbështetje emocionale ose për biseda sociale. Për një pjesë të tyre, kjo është bërë një praktikë e përditshme. Edhe më domethënës është një sondazh evropian, ku pothuajse gjysma e të rinjve nga 11 deri në 25 vjeç thanë se i janë drejtuar një chatbot-i për çështje personale dhe të ndjeshme. Mbi 60% e tyre e përshkruajnë AI-në si një “këshilltar jete” ose si dikë të cilit mund t’i besojnë.
Kjo nuk do të thotë se njerëzit janë bërë emocionalisht dembelë. Përkundrazi, është një mënyrë për t’iu përgjigjur një nevoje shumë njerëzore. Një chatbot është gjithmonë aty. Përgjigjet menjëherë. Nuk të ndërpret, nuk të kritikon, nuk lodhet duke të dëgjuar dhe nuk e zhvendos bisedën te problemet e veta. Për dikë që është mësuar të lidhë hapjen emocionale me refuzimin, gjykimin ose braktisjen, kjo përvojë mund të ndihet jashtëzakonisht e sigurt.
Dhe pikërisht këtu qëndron forca e AI-së: ajo ofron diçka që shumë njerëz nuk e gjejnë lehtësisht në marrëdhëniet e tyre – praninë, vëmendjen dhe mungesën e gjykimit.
Por ka një dallim të rëndësishëm. Të ndihesh i dëgjuar nuk është gjithmonë e njëjta gjë me të qenit i kuptuar. Dhe një strehë që të mbron për pak kohë nuk është domosdoshmërisht një shtëpi ku mund të jetosh përgjithmonë.
Kur ndihmon dhe kur bëhet varësi?
Vija që ndan mbështetjen nga varësia nuk është morale; është funksionale. Pyetja nuk është nëse është “keq” të flasësh me AI. Pyetja është: çfarë po zëvendëson kjo bisedë?
Një studim i përbashkët i MIT Media Lab dhe OpenAI, ku rreth një mijë pjesëmarrës u ndoqën për katër javë, gjeti një prirje interesante. Sa më intensiv të ishte përdorimi i përditshëm i chatbot-it, aq më të larta ishin nivelet e vetmisë, varësisë emocionale dhe përdorimit problematik, ndërsa kontaktet sociale me njerëzit priren të pakësoheshin. Efektet ishin më të theksuara te ata që kishin një prirje më të fortë për t’u lidhur emocionalisht dhe që e perceptonin AI-në si një “mik” me një vend të qëndrueshëm në jetën e tyre.
Studiuesit theksojnë se shumica e njerëzve nuk e përdorin AI-në kryesisht për mbështetje emocionale. Megjithatë, te ata që e bëjnë këtë në mënyrë intensive, fillon të shfaqet një model që psikologët e njohin mirë. Në fillim, AI sjell lehtësim. Më pas bëhet zgjedhja e parë. Dhe, nëse nuk jemi të vetëdijshëm, mund të kthehet gradualisht në zëvendësimin e marrëdhënieve reale. Ky është mekanizmi i shumë formave të varësisë psikologjike.
Çfarë humbet truri kur nuk përballet më me pasigurinë njerëzore?
Këtu qëndron pjesa më delikate. Dhe si psikologe, mendoj se është e rëndësishme ta them qartë: vlera e marrëdhënieve njerëzore nuk qëndron pavarësisht pasigurisë së tyre, por pikërisht falë saj.
Kur flet me një njeri, nuk e di si do të reagojë. Mund të të kuptojë, por edhe të të keqkuptojë. Mund të të mbështesë, por edhe të të kundërshtojë.
Edhe pse kjo na shqetëson, pikërisht këto përvoja e stërvisin trurin. Ato zhvillojnë atë që psikologjia e quan tolerancë ndaj pasigurisë emocionale: aftësinë për të qëndruar në marrëdhënie edhe kur nuk kemi kontroll mbi reagimin e tjetrit dhe kur lidhja nuk është e përsosur.
Me AI-në ndodh e kundërta. Rreziku është pothuajse zero. Përgjigjja vjen gjithmonë. Është e sjellshme, e disponueshme dhe e përshtatur me ne. Nuk ka ditë të këqija, nuk mban inat, nuk lodhet dhe nuk kërkon asgjë në këmbim.
Kur kjo bëhet përvoja dominuese e komunikimit, truri fillon të mësojë një model të ri: se lidhja mund të ekzistojë edhe pa pasiguri. Dhe sa më shumë të mësohet me këtë model, aq më të lodhshme fillojnë të duken marrëdhëniet reale, me gjithë vonesat, keqkuptimet, konfliktet dhe nevojat reciproke që i shoqërojnë.
Kjo lidhet me atë që disa studiues e kanë quajtur efekti i “shokut të besuar” (trusted companion effect). Ashtu si shumë njerëz ndihen emocionalisht të sigurt me një kafshë shtëpiake, sepse nuk gjykon dhe nuk ka pritshmëri, edhe AI mund të krijojë një ndjesi të ngjashme sigurie.
Por ekziston një ndryshim thelbësor. Një kafshë nuk pretendon të jetë njeri. Një chatbot, përkundrazi, komunikon me gjuhë, empati dhe reflektim aq bindshëm, sa truri ynë mund të fillojë ta përjetojë si një marrëdhënie të mirëfilltë. Pikërisht këtu lind edhe sfida: sa më bindëse të bëhet kjo marrëdhënie, aq më shumë rrezikojmë të humbasim aftësinë për të toleruar kompleksitetin e marrëdhënieve njerëzore.
Ku e vendosim kufirin?
Nuk besoj se përgjigjja është të demonizojmë teknologjinë. Inteligjenca artificiale nuk është problemi në vetvete. Problemi është marrëdhënia që krijojmë me të.
Mund ta përdorim AI-në për të na ndihmuar. Patjetër. Por sa herë që e gjejmë veten duke i besuar një ekrani më shumë sesa një njeriu, pyetja që duhet t’i drejtojmë vetes është: “Çfarë po shmang duke zgjedhur këtë rrugë?”
Shpesh përgjigjja nuk lidhet me teknologjinë. Lidhet me atë pjesë të përvojës njerëzore që është më e vështirë për t’u përballuar: pasigurinë, cenueshmërinë, frikën se mos nuk kuptohemi, refuzimin ose zhgënjimin.
AI mund të na ndihmojë të kuptojmë veten. Por vetëm marrëdhëniet reale na mësojnë të njohim, të tolerojmë dhe të duam njëri-tjetrin.
Fleura Shkëmbi
Psikologe Klinike, Coach & Hipnoterapiste
Autore e “Gjurmët e Padukshme të Frikës: Rruga për të Fituar mbi Ankthin” & Kartat “Veç Fol”
