Shënim etik: Ky artikull analizon komunikimin publik të Mimoza Ahmetit, bazuar në intervista, fjalime dhe paraqitje publike të vëzhgueshme. Ai nuk përbën analizë psikologjike të personit dhe nuk pretendon të interpretojë botën e saj të brendshme. Qëllimi është të ofrojë një këndvështrim mbi mekanizmat e komunikimit njerëzor dhe mënyrën se si ata ndikojnë te dëgjuesi.
“Fjalët krijojnë botë. Kur dikush flet me imazhe, nuk informon, por fton.”
— Milton Erickson, themelues i hipnozës Eriksoniane
Mimoza Ahmeti është një figurë që rrallë lë indiferent publikun. Disa e admirojnë, të tjerë nuk pajtohen me idetë e saj. Megjithatë, pavarësisht qëndrimeve të ndryshme, një gjë mbetet e dukshme: kur ajo flet, njerëzit ndalojnë dhe e dëgjojnë.
Si psikologe klinike dhe trajnere NLP, kjo më ka bërë shpesh të reflektoj. Ndikimi që krijon nuk duket të jetë thjesht rezultat i një “karizme të lindur”. Pas tij qëndrojnë mekanizma të njohur të psikologjisë së komunikimit, të studiuar prej dekadash në fusha si NLP-ja, hipnoza Eriksoniane dhe komunikimi ndikues.
Duke analizuar intervistat dhe bisedat e saj publike, dallohen disa elementë të përsëritur që mund të shpjegojnë aftësinë e saj për të tërhequr vëmendjen e audiencës. Këto nuk janë aftësi të rezervuara vetëm për individë të veçantë; ato mund të mësohen dhe të përdoren nga kushdo që dëshiron të komunikojë në mënyrë më autentike dhe më ndikuese.
7 teknikat e komunikimit ndikues
1. Storytelling: historia e anashkalon rezistencën
“Jepini trurit një histori dhe ai do të harrojë se po analizonte.”— Milton Erickson
Ekziston një ndryshim i madh mes të dhënit të një mesazhi dhe tregimit të një historie. Kur dikush thotë: “Duhet të jesh i lirë”, dëgjuesi priret ta analizojë menjëherë pohimin, ta pranojë ose ta kundërshtojë. Por kur dëgjon historinë e një personi që ka gjetur lirinë e vet, reagimi është tjetër: ai fillon ta përjetojë emocionalisht atë përvojë.
Në komunikimin e saj publik, Mimoza Ahmeti përdor shpesh histori personale, episode nga jeta e njerëzve që ka njohur ose situata konkrete të përditshme. Kjo nuk është vetëm një zgjedhje stilistike apo letrare; është një formë komunikimi me efekt të njohur psikologjik.
Milton Erickson, pionieri i hipnozës moderne, i përdorte historitë si një nga mjetet e tij më të fuqishme terapeutike. Sipas tij, një histori e mirë ul rezistencën e vetëdijshme dhe krijon hapësirë për reflektim të brendshëm. Kur hyjmë në një histori, ndalojmë për një moment së gjykuari dhe fillojmë të përjetojmë. Pikërisht në atë hapësirë lind mundësia e ndryshimit.
Provo sot: Merr diçka që dëshiron t’ia komunikosh dikujt sot — një vlerë, një kërkesë, një ide. Mos e thuaj direkt. Gjej një histori të shkurtër — reale ose si metaforë — që e ilustron. Vëre si reagimi ndryshon kur fillon me histori dhe jo me argument.
2. Metafora: gjuha e të pavetëdijshmes
“Metafora nuk të thotë çfarë të mendosh. Të fton të zbulosh vetë kuptimin.” — Dr. Fleura Shkëmbi
Studimet në neuroshkencë tregojnë se njerëzit harrojnë më lehtë argumentet sesa imazhet. Kjo ndodh sepse truri nuk i përpunon metaforat vetëm si figura letrare; ai i përjeton ato si simulime të realitetit.
Kur dëgjojmë për shembull: “Kjo situatë është si të notosh kundër rrymës”, mendja nuk regjistron vetëm fjalët. Ajo krijon një përvojë të brendshme: përpjekjen, lodhjen, rezistencën. Metafora aktivizon emocione, kujtime dhe ndjesi. Dhe ajo që përjetohet emocionalisht ka më shumë gjasa të mbahet mend.
Moza Ahmeti përdor shpesh metafora dhe imazhe konkrete. Ajo rrallë mbetet në nivelin abstrakt të ideve; përkundrazi, i kthen ato në skena, ngjyra dhe situata që mund të imagjinohen. Në terminologjinë e NLP-së, kjo quhet përdorimi i gjuhës së sistemeve përfaqësuese, ndërsa në hipnozën Eriksoniane konsiderohet një nga mënyrat më të fuqishme për të komunikuar me proceset e pavetëdijshme.
Ka një ndryshim të madh mes të thuash: “Po vuaj” dhe “Ndihem sikur mbaj mbi supe një barrë të madhe të padukshme.” E para informon; e dyta krijon përvojë. Pikërisht aty lind lidhja më e thellë mes folësit dhe dëgjuesit.
Provoje sot: Për tre ditët e ardhshme, sa herë që dëshiron të shprehësh një ide ose ndjenjë, përdor një metaforë apo imazh konkret. Fillo me shprehje si: “Kjo ndihej si…” ose “Ishte sikur…”. Vëzhgo se si ndryshon cilësia e bisedës dhe sa më lehtë të tjerët lidhen me atë që po shpreh.
3. Vizualizimi përmes gjuhës
“Sa më shumë imazhe krijon gjuha, aq më i thellë bëhet ndikimi emocional.”— Richard Bandler, bashkëthemelues i NLP-së
Kur Mimoza flet, ajo nuk jep vetëm informacion, krijon skena, shikon personazhe, situata, dhe detaje. Ky është një element që NLP e njeh si “gjuhë vizuale”, aftësia për të aktivizuar sistemin vizual të dëgjuesit nëpërmjet fjalëve.
Truri nuk reagon njësoj ndaj fjalës “pemë” dhe ndaj përshkrimit: “Një pemë e vjetër që qëndron e vetme në mes të një fushe të mbuluar me borë.” Në rastin e dytë, mendja krijon një film të shkurtër i cili krijon përvojë. Dhe pikërisht përvoja, është ajo që ndryshon njerëzit.
Në hipnozën Eriksoniane, kjo quhet “gjuhë e procesit”, gjuhë që aktivizon procese të brendshme tek dëgjuesi, jo vetëm transferon fakte. Kur Milton Erickson i kërkonte një pacienti të imagjinonte një vend ku ndihej i sigurt, ai nuk po jepte vetëm një udhëzim; po ndihmonte krijimin e një gjendjeje të brendshme emocionale.
Në mënyrën e saj të komunikimit me publikun, Mimoza Ahmeti përdor shpesh të njëjtin mekanizëm: përmes përshkrimeve dhe imazheve, ajo e fton dëgjuesin të përjetojë, jo vetëm të dëgjojë.
Provoje sot: Kur t’i tregosh dikujt një ngjarje ose ide, vendos paraprakisht të përdorësh të paktën dy imazhe konkrete. Mund të fillosh me shprehje si: “Mendoje si…”, “Ishte sikur…” ose “Shiko këtë skenë…”. Vëzhgo se si ndryshon niveli i vëmendjes kur bashkëbiseduesi fillon ta “shohë” atë që po thua.
4. Teknika e konfuzionit dhe gjendja e transit
“Konfuzioni është gjendja ku mendja analitike heq dorë dhe e pavetëdijshmja merr drejtimin.”— Milton Erickson
Gjatë bisedës, Mimoza përdor shpesh një stil komunikimi që nuk ndjek gjithmonë një vijë të parashikueshme. Ndonjëherë ndalet papritur, ndryshon drejtimin e mendimit, fut një metaforë të papritur ose kalon nga një ide te tjetra në mënyrë që e detyron dëgjuesin të mbetet i përqendruar.
Pikërisht kjo thyerje e pritshmërive krijon vëmendje. Kur komunikimi bëhet tepër i parashikueshëm, mendja priret të humbasë interesin. Kur ndodh diçka e papritur, dëgjuesi aktivizohet dhe përpiqet të kuptojë lidhjen mes ideve. Në psikologjinë e komunikimit dhe në qasjen Eriksoniane, ky fenomen lidhet me përdorimin e konfuzionit të kontrolluar për të zgjuar kuriozitetin dhe për të rritur përfshirjen mendore të audiencës.
Por ka diçka edhe më të thellë tek Mimoza: ajo vetë hyn në gjendje transi kur flet. Jo si performancë, si gjendje e vërtetë e fokusit të thellë. Ky është “trans krijues” Eriksonian: gjendje ku vetëdija e jashtme ngushtohet, imagjinata aktivizohet dhe fjalët vijnë nga një shtresë më e thellë se mendimi analitik. Kur dikush flet nga kjo gjendje, dëgjuesi e ndien ndryshimin biologjikisht sepse trupi i tij sinkronizohet automatikisht me gjendjen e folësit.
Kjo shpjegon edhe fenomenin tjetër: nëse ja ndërrpresin bisedën, ajo del nga kjo gjendje dhe kjo ndikon menjëherë në cilësinë e komunikimit, sepse nuk ishte “performancë”, ishte gjendje e brendshme.
Zëri luan rol thelbësor këtu sepse kur Mimoza hyn në trans, zëri i saj ndryshon natyrshëm: ritmi ngadalësohet, toni ulet, pauzat shfaqen me qëllim. Në NLP dhe hipnozën Eriksoniane, ky model vokal quhet “tonal marking”, ndryshimi i tonit dhe ritmit për ti sinjalizuar të pavetëdijshmes së dëgjuesit se “ky mesazh është i rëndësishëm.”
Provoje sot: Herën tjetër që ke diçka të rëndësishme për të thënë, ndalo për disa sekonda para se të fillosh. Merr disa frymëmarrje të ngadalta dhe përqendrohu te mesazhi që dëshiron të përcjellësh. Pastaj fol më ngadalë se zakonisht dhe përdor pauza të shkurtra në pikat kryesore. Vëzhgo se si ndryshon cilësia e komunikimit dhe niveli i vëmendjes që merr nga të tjerët.
5. Dëgjimi aktiv — fuqia e heshtjes së qëllimshme
“Njerëzit nuk ndryshojnë sepse u japim këshilla. Ndryshojnë kur ndihen të dëgjuar.”— Carl Rogers
Në një epokë ku shumica presin radhën për të folur, ndalimi dhe dëgjimi i vërtetë është bërë një aftësi e rrallë, dhe pikërisht për këtë arsye ka fuqi të jashtëzakonshme. Mimoza Ahmeti e ka këtë cilësi të dukshme: ajo ndalon, dëgjon, dhe më pas reflekton.
Psikologjia e marrëdhënieve njerëzore tregon se kur individët ndihen të dëgjuar dhe të kuptuar, ata priren të ulin mbrojtjen emocionale dhe të bëhen më të hapur ndaj dialogut. Kjo është arsyeja pse dëgjimi aktiv konsiderohet një nga bazat e krijimit të besimit dhe lidhjes ndërpersonale.
Në psikoterapi, coaching dhe NLP, ky proces lidhet me ndërtimin e raportit – një gjendje mirëkuptimi dhe bashkëpunimi që krijon kushtet për komunikim më të thellë. Pa ndjesinë e të qenit i dëgjuar, edhe argumentet më të forta shpesh humbasin efektin e tyre.
Provoje sot: Në bisedën tënde të ardhshme të rëndësishme, përpiqu të dëgjosh në tre nivele: fjalët që thuhen, tonin me të cilin thuhen dhe emocionin që qëndron pas tyre. Në fund të bisedës pyet veten: “Çfarë po ndjente ky person?” jo vetëm “Çfarë tha?”. Shpesh, përgjigjja më e rëndësishme gjendet aty.
6. Mungesa e gjykimit & kurioziteti si mjet komunikimi
“Kur gjykon, nuk kupton. Kur përpiqesh të kuptosh, gjykimi zbehet.” — Frymëzuar nga Carl Jung
Një nga karakteristikat më të dukshme të komunikuesve me ndikim është aftësia për të qëndruar kuriozë edhe kur nuk bien dakord me tjetrin.
Në mënyrën se si shprehet publikisht, Mimoza Ahmeti shpesh duket më e interesuar të eksplorojë një ide sesa ta mbyllë atë me një etiketë të shpejtë. Ajo pyet, vëzhgon dhe ndjek linja mendimi që e mbajnë bisedën të hapur.
Në NLP ky parim lidhet me respektimin e “hartës së botës” së tjetrit – idenë se secili e përjeton realitetin përmes historisë, përvojave dhe besimeve të veta. Komunikuesi efektiv nuk përpiqet ta imponojë menjëherë këndvështrimin e tij; ai fillimisht përpiqet të kuptojë mënyrën se si tjetri e sheh botën.
Një qasje e ngjashme gjendet edhe në punën e Milton Erickson-it. Në vend që t’u tregonte njerëzve se çfarë duhej të mendonin, ai krijonte kushte që ata të eksploronin dhe të zbulonin vetë kuptime të reja.
Shpesh, ajo që krijon ndikim nuk është aftësia për të bindur, por aftësia për të krijuar një hapësirë ku tjetri ndihet i respektuar. Njerëzit harrojnë shumë argumente, por rrallë harrojnë ndjesinë se janë dëgjuar pa u gjykuar.
Provoje sot: Zgjidh një person me të cilin zakonisht nuk bie dakord. Në bisedën e radhës, përpiqu të bësh vetëm pyetje sqaruese dhe kurioze, pa nxituar të japësh mendimin tënd. Pyet: “Si arrite në këtë përfundim?”, “Çfarë përvoje të ka ndikuar më shumë?” ose “Çfarë do të thotë kjo për ty?”. Vëzhgo se si ndryshon cilësia e dialogut kur qëllimi bëhet kuptimi, jo bindja.
7. Raporti: lidhja që paraprin ndikimin
“Para se të ndikosh tek dikush, duhet të jesh me të. Jo përballë tij.”
— Dr. Fleura Shkëmbi
Të gjitha teknikat e mësipërme kanë një nocion të përbashkët: krijimin e raportit. Ky term, i huazuar nga frëngjishtja dhe i adoptuar gjerësisht në NLP dhe psikologji, do të thotë thjesht: gjendja e lidhjes autentike mes dy njerëzve.
Raporti nuk është një teknikë më vete. Ai është rezultati i shumë elementeve që veprojnë së bashku: dëgjimit të vërtetë, pranisë, kuriozitetit, mungesës së gjykimit, historive që na lidhin dhe imazheve që krijojnë përvojë të përbashkët. Kur ekziston raporti, komunikimi bëhet më efektiv jo sepse kemi argumentet më të forta, por sepse tjetri është më i hapur për të na dëgjuar.
Mimoza Ahmeti krijon raport me audiencën e saj shpejt dhe natyrshëm sepse i aplikon këto teknika intuitivisht. Kjo është pikërisht teza kryesore e NLP: komunikuesit e mëdhenj natyrshëm bëjnë disa gjëra specifike dhe të mësueshme që ne tani i njohim, i studiojmë dhe i transmetojmë.
Provoje sot: Para një bisede të rëndësishme, vendos një qëllim të ndryshëm nga zakonisht. Në vend që të përqendrohesh te bindja e tjetrit, përqendrohu te krijimi i lidhjes. Vëzhgo se si ndryshon toni i bisedës, niveli i bashkëpunimit dhe cilësia e komunikimit.
Çfarë mund të mësojmë nga Moza Ahmeti?
Nuk është e nevojshme të jesh poete, figurë publike apo personazh televiziv për të përdorur këto aftësi. Secili prej nesh komunikon çdo ditë, me partnerin, me fëmijët, me kolegët, me klientët dhe mbi të gjitha me veten.
Shpesh, diferenca mes një bisede që lë gjurmë dhe një bisede që harrohet qëndron pikërisht te disa elemente të thjeshta:
- Storytelling – historia që krijon përvojë, jo vetëm argument.
- Metafora – imazhi që e bën një ide të ndjehet dhe të mbahet mend.
- Vizualizimi – aftësia për të krijuar skena në mendjen e dëgjuesit.
- Teknika e Konfuzionit – përdorimi i ritmit, pauzave dhe elementeve të papritura për të mbajtur vëmendjen gjallë.
- Dëgjimi aktiv – prania e plotë që krijon besim dhe hap dialogun.
- Kurioziteti përpara gjykimit – gatishmëria për të kuptuar përpara se të vlerësosh.
- Raporti – lidhja autentike që krijon bazën e çdo ndikimi të qëndrueshëm.
Këto nuk janë thjesht talente të lindura. Janë aftësi që mund të zhvillohen përmes praktikës, vetëdijes dhe trajnimit. Pikërisht për këtë arsye ato studiohen sot në fusha si psikologjia e komunikimit, NLP-ja dhe qasjet moderne të zhvillimit personal.
Ndoshta arsyeja pse njerëzit ndalojnë dhe dëgjojnë Mimoza Ahmetin nuk lidhet vetëm me atë që thotë, por edhe me mënyrën se si e thotë. Kjo na kujton një të vërtetë të rëndësishme: ndikimi ynë nuk përcaktohet vetëm nga njohuritë që kemi, por edhe nga aftësia për t’i komunikuar ato në mënyrë që të prekin njëkohësisht mendjen dhe emocionet e tjetrit.
“Komunikimi është çelësi. Por çelësi duhet t’i përshtatet bravës. Dhe çdo njeri ka bravën e vet.” — Milton Erickson
Nga këto 7 teknika, cila të pëlqeu më shumë? Dhe cilën ndjen se do të dëshiroje ta zhvilloje më tej në komunikimin tënd të përditshëm?
Nëse dëshiron t’i zhvillosh më tej këto aftësi, të ftoj të na bashkohesh në trajnimin tonë më të ri. Për herë të parë në Shqipëri, Trajnim me Certifikim Ndërkombëtar, “Gjuha e ndryshimit: Trajnim në NLP dhe Hipnozë Eriksoniane”
Fleura Shkëmbi
Psikologe Klinike, Coach & Hipnoterapiste
Autore e “Gjurmët e Padukshme të Frikës: Rruga për të Fituar mbi Ankthin” & Kartat “Veç Fol”
Linku i Trajnimit: “Gjuha e ndryshimit: Trajnim në NLP dhe Hipnozë Eriksoniane”
