A të ka ndodhur ndonjëherë të mendosh të njëjtën gjë me orë të tëra dhe të mos arrish askund? Apo të ndihesh i bllokuar pa kuptuar pse? Nëse po, ke ardhur në vendin e duhur.
Sot dëshiroj të flasim për NLP-në në një gjuhë shumë të thjeshtë, pa fjalë të mëdha dhe pa terma të komplikuar. Mua më pëlqen t’ju referohem studimeve dhe ato kanë treguar se truri ynë përthith dhe mban mend deri në 70% më shumë informacion kur ai jepet me fjalë të thjeshta dhe të qarta. Pra, sa më e thjeshtë gjuha, aq më i fuqishëm ndikimi.

 

Çfarë do të thotë NLP?

NLP do të thotë Programim Neuro-Gjuhësor. E di, tingëllon pak e komplikuar, por në fakt është shumë e thjeshtë.

Mendoje në këtë mënyrë: mendja jote është si një kompjuter. Ka programe që funksionojnë çdo ditë pa e kuptuar ti, programe që të bëjnë të reagosh në një mënyrë të caktuar, të mendosh gjëra të caktuara dhe të ndihesh në një mënyrë të caktuar. NLP është metoda që studion këto “programe” të mendjes dhe të mëson si t’i ndryshosh ato kur nuk të shërbejnë më.

Pra, NLP studion tre gjëra kryesore:

  • Si funksionon mendja jote(mendimet)
  • Si funksionojnë emocionet e tua(çfarë ndien)
  • Si komunikon(me veten dhe me të tjerët)

 

Si funksionon në praktikë?

Imagjino që çdo herë që duhet të flasësh para njerëzve, fillon të të rrahë zemra fort, të djersiten duart dhe mendja jote thotë: “Do e them gabim, do qeshin me mua”. Ky është një ankth që rrënjën e ka në mënyrën se si truri yt e ka regjistruar atë situatë në të kaluarën.

NLP të mëson të “rishkruash” atë regjistrim. Të mëson si t’i flasësh vetes ndryshe, si të imagjinosh ndryshe dhe si të ndryshosh reagimet e tua automatike.

 

Ku të ndihmon NLP?

Ja disa fusha ku NLP bën vërtetë një ndryshim domethënës:

Vetëbesimi: Nëse je nga ata njerëz që mendojnë “nuk jam mjaftueshëm i mirë” ose “të tjerët janë më të zotët se unë”, NLP të mëson të ndërtosh një imazh të ri për veten. Të mëson të zbulosh aftësitë që ke por nuk i sheh.

Ankthi: Për atë ndjesinë e rëndë në gjoks para një takimi të rëndësishëm, para një provimi ose pa asnjë arsye të dukshme, NLP-ja ka teknika konkrete për ta lehtësuar dhe për të të dhënë qetësi.

Komunikimi: A të ka ndodhur që të duash të thuash diçka dhe del krejt ndryshe nga ç’mendoje? NLP të ndihmon të kuptosh më mirë si i përcjell mesazhet dhe si i kuptojnë të tjerët.

Marrëdhëniet: Qoftë me partnerin, familjen apo kolegët, shumë probleme në marrëdhënie vijnë nga keqkuptime në komunikim. NLP të mëson të “lexosh” më mirë njerëzit dhe të krijosh lidhje më të shëndetshme.

Overthinking: Mendja që nuk ndalet, që përsërit të njëjtën situatë 100 herë gjatë natës; ka mënyra për ta qetësuar. NLP të jep mjete praktike për të ndalur këtë cikël.

Frika: Frika nga dështimi, frika nga refuzimi, frika nga e panjohura, janë programe të vjetra që mund të riprogramohen.

Bllokimet emocionale: Ndonjëherë ndihemi të mbërthyer pa ditur pse. Si të jemi në një rrugë pa krye. NLP të ndihmon të zbulosh çfarë po të mban pas dhe si ta zhbllokosh veten.

Suksesi personal: Kur mendja jote punon për ty dhe jo kundër teje, ti bëhesh i pandalshëm. Kjo është ajo që NLP synon të të mësojë.

 

A funksionon vërtet?

Po. Por NLP nuk është një shkop magjik që zgjidh gjithçka në një ditë. Është një mjet ose teknikë, ashtu siç është stërvitja për trupin. Sa më shumë e praktikon, aq më shumë rezultate sheh.

Disa njerëz fillojnë të ndiejnë ndryshime pas seancave të para, të tjerë kanë nevojë për pak më shumë kohë. E rëndësishme është që ti të jesh i hapur dhe i gatshëm të punosh me veten.

Dhe tani dua të të them diçka nga e cila kam kohë që po largohem: nuk ka nevojë të jesh “perfekt” dhe të kesh të gjitha përgjigjet për të filluar. E vetmja gjë që të kërkohet është të hapësh një derë të vogël brenda vetes dhe të thuash “po, jam gati të provoj”. Sepse kur ti i jep vetes këtë shans, fiton diçka që nuk e ke çmuar kurrë më parë: fiton qetësinë e të zgjuarit në mëngjes pa atë peshën në gjoks, fiton lirinë për të folur pa frikë, fiton marrëdhënie ku ndihesh i parë dhe i dëgjuar, dhe mbi të gjitha, fiton veten tënde mbrapsht.

 

Si Përfundim dua të them se:

NLP nuk është diçka e komplikuar dhe nuk është vetëm për “ekspertët”. Është një metodë praktike që mund të ndryshojë jetën tënde nëse vendos t’i japësh një shans. Mendja jote është mjeti më i fuqishëm që ke. Kur mëson ta përdorësh siç duhet, gjithçka tjetër bëhet më e lehtë.

Mendoje mendjen tënde si një shtëpi në të cilën jeton çdo ditë. Disa dhoma janë të ndriçuara dhe të rehatshme, por ka edhe dhoma të mbyllura prej vitesh, plot me sende të vjetra që nuk të hyjnë më në punë. NLP është çelësi që hap ato dhoma dhe të shikosh se sa shumë sende me vlerë ka aty brenda. Ti nuk ke nevojë të ndërtosh një shtëpi të re, por të mësosh të jetosh më mirë & lehtë në atë që ke.

Nëse je në një moment ku ndien që diçka duhet të ndryshojë në jetën tënde, ndoshta NLP është pikërisht ajo që po kërkon.

Fleura Shkëmbi
Psikologe Klinike, Coach, Trajnere & Hipnoterapiste
Autore e “Gjurmët e Padukshme të Frikës: Rruga për të Fituar mbi Ankthin” & Kartat “Veç Fol”

Shporta0
Nuk ka produkte në shportë
Mbyll Shportën
0