Çfarë është rikornizimi?

Rikornizimi është procesi i ndryshimit të kuptimit që i atribuojmë një ngjarjeje, sjelljeje apo përvoje, duke e parë atë nga një perspektivë tjetër.

Nëse e imagjinon jetën si një fotografi, kjo teknikë nuk ndryshon vetë imazhin, por ndryshon kornizën që e rrethon. Dhe kur korniza ndryshon, ndryshon edhe mënyra si e kuptojmë atë imazh. Kur kuptimi ndryshon, shpesh ndryshon edhe reagimi emocional dhe mënyra se si veprojmë.

“Nuk ka realitete objektive, vetëm interpretime të ndryshme të të njëjtit realitet.”
— Richard Bandler, bashkëthemelues i NLP-së

Në këtë kuptim, rikornizimi nuk ndryshon ngjarjen, por ndryshon mënyrën se si truri e organizon dhe e përpunon kuptimin e saj.

 

Dy llojet kryesore të rikornizimit

Në praktikën e NLP-së, rikornizimi ndahet zakonisht në dy forma kryesore: rikornizim i përmbajtjes (content reframing) dhe rikornizim i kontekstit (context reframing). Të dy synojnë të ndryshojnë kuptimin e një përvoje, por e bëjnë këtë në mënyra të ndryshme.

1. Content Reframing — ndryshimi i kuptimit

Ky lloj rikornizimi ngre pyetjen: “Çfarë tjetër mund të nënkuptojë kjo situatë?” Fokusi këtu është te interpretimi i vetë përvojës

Shembull: Jam shumë i ndjeshëm, kjo më bën të dobët.

Një reframing i mundshëm do të ishte:
“Ndjeshmëria jote mund të shihet edhe si aftësi për empati të thellë — një cilësi që i bën njerëzit të ndihen të kuptuar dhe të afrohen me ty kur kanë nevojë.”

Në këtë qasje, realiteti nuk mohohet dhe nuk zhvlerësohet përvoja e personit. Ajo që ndryshon është korniza interpretative: një cilësi që fillimisht përjetohej si kufizim, riformulohet si burim potenciali.

 

2. Context Reframing — ndryshimi i kontekstit

Ky lloj rikornizimi pyet: “Në çfarë situate kjo sjellje ose cilësi do të ishte e dobishme?”

Në vend që të ndryshojë kuptimin e tiparit, ai e zhvendos atë në një kontekst tjetër ku ai bëhet funksional.

Shembull:
Dikush thotë: “Jam shumë i fiksuar pas detajeve, nuk di t’i lë gjërat të kalojnë.”

Një reframing kontekstual do të ishte:
“Në profesione si kirurgjia apo arkitektura, vëmendja ndaj detajeve është kusht thelbësor për suksesin dhe sigurinë.”

Në këtë rast, tipari nuk ndryshon. Ajo që ndryshon është konteksti i vlerësimit.

Çdo tipar personaliteti mund të jetë burim vështirësie në një situatë dhe burim force në një tjetër. Rikornizimi ndihmon pikërisht në identifikimin e këtyre konteksteve alternative, ku e njëjta cilësi fiton funksion dhe kuptim të ri.

 

Pse funksionon rikornizimi?

Kur truri percepton një situatë, ai nuk regjistron vetëm faktet, por edhe kuptimin emocional që u jep atyre. Ky proces përfshin ndërveprimin mes amigdalës (reaksioni emocional) dhe korteksit prefrontal (interpretimi dhe kontrolli kognitiv).

Kur një përvojë riinterpretohet në mënyrë të përsëritur përmes rikornizimit, ndryshon lidhja mes kujtesës dhe reagimit emocional. Në praktikë, kjo do të thotë se e njëjta situatë fillon të prodhojë një përgjigje emocionale të ndryshme, jo sepse vetë ngjarja ndryshon, por sepse ndryshon mënyra si truri e përpunon atë.

 

Ushtrim praktik: Rikornizimi në 5 hapa

Ky ushtrim kërkon 15–20 minuta.

Hapi 1: Identifiko besimin kufizues
Zgjidh një mendim që të kufizon (p.sh. “Nuk funksionoj mirë nën presion”) dhe shkruaje siç e mendon zakonisht.

Hapi 2: Vëzhgo pa gjykim
Qëndro për disa minuta me këtë mendim si vëzhgues. Kur u krijua? Në çfarë situatash shfaqet?

Hapi 3: Kërko kuptim alternativ
Pyet: “Çfarë tjetër mund të nënkuptojë kjo?” Për shembull, ndjeshmëria ndaj presionit mund të lidhet me vetëdije të lartë ndaj rrezikut ose detajeve.

Hapi 4: Gjej kontekstin ku është i vlefshëm
Pyet: “Në cilat situata kjo cilësi do të ishte avantazh?” Shpesh, tiparet që na kufizojnë në një kontekst janë forcë në një tjetër.

Hapi 5: Formulo besimin e ri
Shkruaj një version të zgjeruar të besimit, që nuk e mohon të vjetrin, por e integron:
“Jam i ndjeshëm ndaj presionit, dhe kjo më bën të kujdesshëm dhe të vetëdijshëm. Kur e menaxhoj, kthehet në forcë.”

Lexoje disa herë me qetësi dhe vëzhgo si ndryshon reagimi yt emocional.

 

Një shënim i rëndësishëm

Reframing-u i shëndetshëm respekton plotësisht realitetin e përjetuar. Ai nuk e minimizon dhimbjen dhe nuk e mohon vështirësinë, por zgjeron mënyrën se si e kuptojmë atë përvojë, duke hapur hapësirë për interpretime dhe përgjigje të tjera të mundshme.

Nëse dëshiron t’i zhvillosh më tej këto aftësi, të ftoj të na bashkohesh në trajnimin tonë më të ri. Për herë të parë në Shqipëri, Trajnim me Certifikim Ndërkombëtar, “Gjuha e ndryshimit: Trajnim në NLP dhe Hipnozë Eriksoniane”

Fleura Shkëmbi
Psikologe Klinike, Coach & Hipnoterapiste
Autore e “Gjurmët e Padukshme të Frikës: Rruga për të Fituar mbi Ankthin” & Kartat “Veç Fol”

Linku i Trajnimit: “Gjuha e ndryshimit: Trajnim në NLP dhe Hipnozë Eriksoniane”

Shporta0
Nuk ka produkte në shportë
Mbyll Shportën
0