Në shkrimin e kaluar folëm për dy mekanizmat e rezistencës: reagimin emocional dhe mbrojtjen e egos. Tani do të ndalemi tek një çështje po aq e rëndësishme: si ta kalojmë këtë rezistencë? Truri është i programueshëm. Dhe këto 4 strategji, të mbështetura nga kërkimet në neuroshkencë, funksionojnë edhe kur s’ke motivim, disiplinë apo dëshirë. 
  1. Rregulli i 3 Sekondave
(Menaxhimi i dialogut të brendshëm)Kur truri nis sabotimin (“më vonë”, “jo tani”), ke vetëm disa sekonda për të ndërhyrë përpara se rezistenca ta marrë kontrollin.Si funksionon: Përgjigju menjëherë me një veprim të vogël brenda 3 sekondave. Jo mendim — veprim.Shembuj:
  • U kujtove për ujë? Çohu menjëherë dhe mbushe gotën.
  • Duhet të hapësh laptopin? Shtype butonin tani.
  • Dëshiron të shkosh në palestër? Vish rrobat sportive menjëherë.
Pse funksionon: Aktiviteti i menjëhershëm ul aktivitetin e amigdalës (burimi i frikës) dhe rrit aktivizimin e korteksit prefrontal — zona e vendimmarrjes. Kur vepron ti thyen spiralen emocionale që të mban të ngecur. 
  1. “Shkalla Mikro”: Ndaje detyrën në hapa të vegjël
(Reduktim i ngarkesës emocionale)Siç e pamë, truri krijon rezistencë ndaj gjërave të mëdha. Zgjidhja është t’i ndash detyrat deri në një nivel që mund të duket edhe qesharak.Për shembull, nëse detyra është “Duhet të shkruaj 3 faqe”. Ti përcakto: “Do hap dokumentin.”Jo “Duhet të vrapoj 30 minuta”. Por: “Do vesh atletet.”Jo “Duhet të pastroj shtëpinë”. Por: “Do mbledh vetëm gotat.”Pse funksionon: Detyrat e përmbushura, sado mikroskopike, aktivizojnë dopaminën — substanca e “përparimit”. Edhe një progres i vogël mjafton që të ndezësh ciklin e motivimit. 
  1. Strategjia “Para + Gjatë”: Rregullo mjedisin, jo vullnetin
(Metoda e neuro-shoqërimeve)Njerëzit mendojnë se kanë problem me vullnetin. Në fakt, shpesh kanë problem me mjedisin.Truri punon me shoqërime (asocime). Ajo që sheh → përcakton atë që bën.Para detyrës:
  • Lëre librin mbi tavolinë
  • Vëri rrobat e palestrës në vend të dukshëm
  • Lëre telefonin në një dhomë tjetër
  • Përgatit çajin/kafen për studim
Gjatë detyrës:
  • Krijo një mjedis të njëjtë (muzikë, aromë, vend)
  • Eliminimi i shpërqendrimeve rrit fokusin 40–60%
Pse funksionon: Mjedisi i qartë ul kërkesat e korteksit prefrontal. Truri fillon të punojë automatikisht, pa pasur nevojë për beteja të njëpasnjëshme. 
  1. Neuro-Asocimi Pozitiv: Shndërroje detyrën në diçka shpërblyese
(Riprogramimi i sistemit të shpërblimit)Shumë detyra i shmangim sepse mendja i lidh me stresin, jo me shpërblimin.Ndryshoje këtë asocim.Si ta zbatosh: Pas çdo detyre, jepi trurit një shpërblim të vogël:
  • një shënim “Bravo, e bëra!”
  • 5 minuta pushim
  • një ecje 2-minuta jashtë
  • Pak kohë me një njeri të dashur
  • një tick në listë (truri ynë e adhuron përmbushjen e listave)
Pse funksionon: Shpërblimet stimulojnë dopaminën → truri fillon të njohë detyrën si burim kënaqësie, jo si kërcënim. Dhe rezistenca pakësohet çdo ditë.Përfundim:Kur e kupton se:
  • reagimi emocional është pjesë normale e procesit,
  • egoja përpiqet të të mbrojë,
  • dhe truri gjithmonë kërkon rrugën më të lehtë,
… atëherë nuk lufton më kundër vetes. Përkundrazi, fillon të bashkëpunosh me trurin tënd.Nëse këto strategji i zbaton për 7 ditë rresht, sistemi yt i shpërblimit nis të riformatohet gradualisht. Rezistenca zvogëlohet, fillimet bëhen më të thjeshta dhe energjia e brendshme rritet në mënyrë të natyrshme. Fleura Shkëmbi Psikologe Klinike, Coach & Hipnoterapiste Autore e “Gjurmët e Padukshme të Frikës: Rruga për të Fituar mbi Ankthin”
Shporta0
Nuk ka produkte në shportë
Mbyll Shportën
0