Të ngrënit emocional; Të kuptojmë ciklin dhe të çlirohemi prej tij
Të gjithë e njohim si ndjesi. Pas një dite të vështirë, akullorja shijon si asnjëherë tjetër. Kur jemi të stresuar kafshatat e ndjekin njëra tjetrën në nxitim pa një sens kohe apo numri. Ose ato rastet që nuk ke çfarë bën dhe e thyen mërzinë me një kuti të mirë biskotash. Në këto raste kemi të bëjmë me të ngrënë emocional, një fenomen mjaft i zakonshëm ku njeriu e përdor ushqimin për qetësim, për menaxhim të emocioneve, dhe jo për shkak të urisë. Por çfarë ekzaktësisht është të ngrënit emocional dhe si mund ta thyejmë ciklin?
Të ngrënit emocional vs. Uri fizike
Trupat tanë kanë një sistem të sofistikuar për të rregulluar urinë. Kur stomaku është bosh, ne përjetojmë disa ndjesi fizike si pafuqi, irritueshmëri, zhurma në stomak, etj. Të ngrënit emocional i tejkalon të gjitha këto ndjesi fizike. Ne nuk konsumojmë ushqim për shkak të asnjërës nga simptomat e lartpërmendura, por sepse ndihemi në stres, në ankth, të mërzitur apo të demotivuar. Llojet e ushqimeve që na hahen në këto situata, priren të jetë të larta në sheqer, ynydrë ose kripë, duke ofruar një ngritje të përkohshme të humorit. E në të njëjtën kohë ne ushqehemi por trupi nuk merr asnjë nga nutrientët për të cilët ka nevojë.
Cikli i të ngrënit emocional
Të ngrënit emocional mund të bëhet një cikël vetë-përsëritës. Ja se si shfaqet:
- Nxitësi emocional: Ne përballemi me një situatë stresuese, ndihemi të vetmuar ose përjetojmë çfarëdo emocioni tjetër negativ.
- Nepsi për “ushqimet e komfortit”: Dëshirojmë ushqime me shumë kalori, me sheqer apo yndyrë, që ofrojnë një ndjesi të përkohshme kënaqësie.
- Mbingrënia: Konsumojmë më shumë ushqim nga se trupi ynë ka nevojë, shpeshherë pa vëmendje dhe pa e shijuar ushqimin.
- Faji dhe turpi: Pas mbingrënies, fillojmë të ndihemi në faj dhe ndihemi të turpëruar nga vetja, duke e dëmtuar edhe më tej vetë-vlerësimin.
- Përsëritja: Ky cikël mund të bëhet pjesë e ngulitur e menaxhimit tonë emocional, duke kërkuar ushqim në rrethana të ngjashme, thjesht për qetësimin e momentit.
Si të çlirohemi nga ky cikël?
Ta kuptojmë ciklin e të ngrënit emocional është hapi i parë për ta kaluar atë. Këtu janë disa strategji dhe teknika:
- Identifiko nxitësit e tu: Cilat situata ose emocione të çojnë drejt të ngrënit emocional? Duke njohur nxitësit, mund të kalosh në hapin tjetër, pra të gjesh mekanizma të tjerë për t’i menaxhuar këto nxitës.
- Praktiko të ngrënin mindful: Kushtoji vëmendje ndjesive fizike të urisë dhe ndalo së ngrëni në momentin që ndihesh i/e ngopur. Shijoje ushqimin dhe teksturën e tij për të krijuar një përvojë të ngrëni plotësisht të vetëdijshme.
- Eksploro strategji të shëndetshme menaxhimi: Zhvillo mënyra të shëndetshme për të menaxhuar emocionet negative. Provo të kalosh kohë në natyrë, të bësh një ecje, të stërvitesh në palestër, të flasësh me një mik të besuar apo teknika të ndryshme relaksimi si frymëmarrja diafragmatike. Të gjitha janë opsione të vlefshme dhe ndihmuese kundrejt të ngrënit emocional. Eksploro dhe vendos çfarë funksionon për ty.
- Praktiko vetë-dhembshuri: Tregoji vetes mirësi. Të ngrënit emocional është një sjellje e zakonshme. Faji dhe turpi vetëm e përforcojnë ciklin e të ngrënit emocional. Nuk të shërbejnë. Fokusohu në progresin tënd dhe rikujtoji vetes që është plotësisht në rregull edhe nëse nuk e shmang dot ndonjëherë. Motoja është: progres, jo perfeksion!
Kujto: Ndryshimi i zakoneve që kemi fituar në shumë kohë, kërkon kohën e vet dhe përpjekje të vazhdueshme. Një terapist ose një nutricionist mund të të mundësojë udhëzimet dhe mbështetjen që të nevojitet në rrugëtimin tënd drejt një marrëdhënieje më të shëndetshme ushqimin dhe emocionet.