Frika nga braktisja nuk është gjithmonë e dukshme, por lë gjurmë në çdo vendim që marrim, në çdo marrëdhënie që ndërtojmë, në çdo dashuri që pranojmë ose refuzojmë.

Ka njerëz që japin shumë në marrëdhënie, ndonjëherë edhe tepër. Njerëz që nuk thonë kurrë “jo”. Që qëndrojnë në marrëdhënie që i dëmtojnë, duke humbur veten për të mbajtur pranë dikë tjetër. Dhe ka të tjerë që largohen herët, akoma pa u angazhuar mirë. Në sipërfaqe duken të ndryshëm, por shpesh, në thelb, nisin nga i njëjti vend: frika nga braktisja.

Kjo frikë nuk është gjithmonë e dukshme për personin që e përjeton. Shpesh nuk shfaqet si “frikë” në vetvete, por si ankth kur personi tjetër vonon një përgjigje, si nevojë të vazhdueshme për miratim, si pamundësi për të qëndruar vetëm, apo si një distancim i shpejtë nga të tjerët përpara se të krijohet afrimitet.

“Frika nga braktisja nuk është thjesht ideja se dikush mund të largohet. Është një bindje e thellë se largimi është i pashmangshëm.”

 

Si lind kjo frikë?

Zakonisht rrënjët janë që në fëmijërinë e hershme. Mund të vijë nga një prind emocionalisht i paqëndrueshëm, për shembull i afërt një ditë dhe i ftohtë ditën tjetër. Mund të vijë nga humbja e dikujt të dashur në fëmijëri, pa pasur kapacitetin për ta përpunuar atë. Ose nga ndjesia se dashuria duhet fituar, jo dhënë pa kushte. Truri i një fëmije mëson: “njerëzit largohen dhe ndoshta është për fajin tim.”

Modelet e para të lidhjes me kujdestarët tanë bëhen si një “hartë e brendshme” për marrëdhëniet e ardhshme. Nëse kjo hartë thotë “nuk jam i mjaftueshëm që dikush të qëndrojë”, atëherë kjo ide do të rikthehet vazhdimisht, edhe kur realiteti i jetës së rritur e kundërshton.

 

Si shfaqet në jetën e rritur?

Dhënia e tepërt. Nëse jam i dobishëm, i nevojshëm, i pazëvendësueshëm, askush nuk do të më lërë. Ajo që duket si bujari, shpesh është një strategji mbijetese.

Shmangia e konfliktit. Mosmarrëveshjet mund të çojnë në largim, ndaj zgjedhim të heshtim. Fshehim nevojat, ndjenjat dhe veten tonë, vetëm që tjetri të qëndrojë.

Tërheqja drejt personave emocionalisht të padisponueshëm. Paradoksi është se kjo ndjesi na duket e njohur. Jo sepse është e sigurt, por sepse është e familjarizuar.

Largimi i parakohshëm. Disa njerëz zgjedhin të largohen vetë, përpara se të përjetojnë braktisjen. Marrëdhëniet ndërpriten, lidhjet nuk thellohen, ndjenjat frenohen. Jo nga mungesa e dëshirës, por nga frika për të ndjerë plotësisht. Sa më e madhe të jetë ndjenja, aq më e dhimbshme do të jetë braktisja.

“Kur personi fillon të ndjejë afrimitet, truri sinjalizon: ‘Largohu tani, para se të lëndohesh.”

 

Çfarë mund të bëjmë?

Shërimi nuk fillon duke mohuar frikën. Fillon duke e njohur atë. Duke e emërtuar, duke kuptuar origjinën e saj dhe duke bërë dallimin mes ndjenjës dhe realitetit aktual. Ky është një proces që kërkon vetëdije dhe, shpesh, mbështetje terapeutike.

Disa pyetje të vlefshme për veten:
A jap më shumë seç duhet, me shpresën se kjo do t’i mbajë njerëzit pranë?
A largohem i pari nga një marrëdhënie për të shmangur një dhimbje më të madhe?
A i lejoj vetes të dua plotësisht, apo mbaj gjithmonë një distancë sigurie?

Fleura Shkëmbi
Psikologe Klinike, Coach & Hipnoterapiste
Autore e “Gjurmët e Padukshme të Frikës: Rruga për të Fituar mbi Ankthin” & Kartat “Veç Fol”

Shporta0
Nuk ka produkte në shportë
Mbyll Shportën
0