Dashuria, një ndjenjë aq sa e bukur, po aq edhe e brishtë! Një ndjenjë që me fuqinë e saj jo rrallë herë ka shkaktuar rrëmuja të mëdha, pra me emërin e saj janë bërë gjithçka. E mos të harrojmë këtu se ishte rrëmbimi i dashurisë ajo që shkaktoj Luftën e Trojës!

Shpesh hyjmë në një marrëdhënie, mirëpo ne e vazhdojmë edhe kur e ndjejmë se diçka nuk po funksionon mirë, duke ecur gjithmonë me shpresën se gjërat do të rregullohen një ditë.

GB, ka filluar të mos vëri më gjumë në sy, është në moshën e saj më të bukur dhe është duke përjetuar një histori dashurie, por nuk di se si të veprojë me ndjenjat e saj; të flaki çdo ngurrim e të ndahet nga i dashuri dhe të  përballet me dhimbjen e ndarjes dhe vetminë apo të vazhdojë e të pranojë dhe të përballojë presionin e vazhdueshëm psikologjik të partnerit?. Ndërsa ai me dredhitë e tij e bind që e dashuron marrëzisht, se askush tjetër nuk do ta dojë në atë mënyrë, se ai është i vetmi që nuk e dëshiron vetëm për seks, e kështu vargu i mashtrimeve vazhdon pafund. Ajo duke i dëgjuar këto për vite e vite me rradhë në mendimet e saj krejt papritur krijohet ideja se ai është heroi i vet, duke injektuar në brendin e saj idealizimin e figurës së tij. E kështu tek ajo seria e ngjarjeve vazhdojnë ; në emër të xhelozisë nga dashuria ajo vazhdon të shkëputet dalë ngadalë nga shkokët (sepse ai nuk ndihet mirë kur ajo ka kontakte qoftë edhe më një mashkull) , seria e ndarjeve vazhdon edhe me shoqet duke gjetur lloj-lloj arsye (sipas tij njëra është shumë  e shpërdredhur, tjetra është e paedukuar, një tjetër ia ka me hile…) vargu i ndarjes vazhdon e thellohet edhe më teper duke trokitur deri në familje sepse presioni vazhdon, duke e vënë shpeshherë me shpatulla pas murit; Ti, më do më shumë mua apo vëllain dhe motrën tënde?

Vajza e ndodhur në të tilla presione emocionale, nuk po njeh më veten e saj, gjendet e braktisur në udhëkryq mendimesh ku ka humbur totalisht aftësinë e të konceptuarit se cila është me e mira, kush është ajo dhe deri ku nuk duhet ta lejojë atë të ndërhyjë në jetën, personalitetin dhe në mendimet e saj.

E ndërsa ai do të dijë gjithçka, të kontrollojë çdo gjë sepse kështu mund ta ketë situatën në kontroll e në këtë mënyrë mund ta zotërojë për gjithë jetën. A e dashuron ai apo po jeton nën petkën e ankthit se “gjahu” i ka shpëtuar dhe ai nuk është më triumfator???

Sa vajza dhe gra (në marrëdhënie jashtë martesore), pa përjashtuar këtu edhe psikologët, vujnë në një vorbull të tillë që ju duket pa dalje, ku më pas u duhet të shkojnë me patjeter të një profesionist që të rrefehen për gjendjen në të cilën ndodhen, por edhe për të folur me zë të lartë për ndjenjat dhe mëndimet prej të cilave kanë frikë.

Sa më e fortë dhe e sigurt të jetë femra, aq më intriguese është për të tillë meshkuj, loja mendore është më e bukur, më interesante dhe zgjat më shumë. Meshkuj të tillë, adrenalinën shpesh e marrin nga një femër që refuzon, e cila e shpërfill dhe që në fillim ia ka përplasur të gjitha në sy. Ndërsa ai me qetesinë e tij e ka duruar, ka heshtur sepse pret të vijë rradha e tij. Ndërkohë ky moment nuk vonon, madie vjen shumë shpejt sepse ai është ndryshe nga meshkujt e tjerë (i përshkruar si i tillë nga pothuajse të gjitha femrat, të cilat kanë patur eksperienca me meshkuj të tillë). Ai është spontan, di të të tërheqi dhe të shtyjë në momentet që ti nuk e pret, di të të surprizojë edhe në mes të natës, di të ta ngrejë nivelin e ankthit shumë lart e me kalimin e kohës ti fillon e mësohesh dhe të mungon adrenalina që ai të ka dhënë nga zëniet, shetësimet apo largimi i tij i papritur, kështu që ti rikthehesh përsëri e përsëri, derisa vjen një moment e lodhesh dhe nuk ke më fuqi të luftosh.

Sigurisht që njerëzit e afërm e kuptojnë dhe ta kujtojnë gjithmonë se duhet me patjetër të largohesh nga kjo marrëdhënie e sëmurë, por ti nuk je gati ta përballosh ankthin e ndarjes, prandaj zgjedh më mirë të rrish i heshtur sepse përgjigjen e tyre tashme e di…

Ky mashkulli është i tillë me ty, por jo me të tjerë, madie me ata paraqitet të sillet si njeri i mirë, ndoshta bëhet edhe më i pëlqyer prej femrave të tjera, duke të të bërë xheloze në çdo moment që ti të jetosh me frikën se mos dikush tjetër ta “merrë”.  Ndoshta e ka edhe më të lehtë të flirtojë me të tjerat, por nëse e bën ti këtë gjë, ai “xhindoset” dhe ti dënohesh për ditë apo javë të tëra, derisa ta kesh kuptuar “gabimin” dhe kesh kërkuar të falur. Ti ke bërë “faj”, prandaj duhet të jesh përgjegjëse për pasojat. Ai të dënon duke u larguar, duke mos të të telefonuar dhe ti pret në ankth me orë të tëra që të vijë një sms apo telefonatë (e nese ta dërgon dikush tjetër, menjëherë e merrë inat sepse të ka zhgënjyer që nuk ishte Ai ). Nuk të përkëdhelë, nuk të fletë edhe po të jeni së bashku të injoron ose më interesantja është kur ju jeni së bashku në dhomën e gjumit në krevatin ku keni patur ndoshta eksperiencat më intime dhe Ai të kthen kurrizin dhe nuk reagon, edhe nëse ti je duke qarë nga gjithë kjo situatë të cilës nuk mund t’i japësh shpjegim. Ti vazhdon të mos e kuptosh se ku qëndron problem, por ngaqë Ai është lënduar për hir të “dashurisë”, ti i kërkon të falur sepse të mungon.

Çfarë na shtyn të qëndrojmë në situata të tilla??? Çdokush ka arsyet e veta, por ndoshta ka edhe të përbashkëta: Ai të ka gjetur në një moment të vështirë, në një moment vetmie dhe të është gjendur pranë, ndoshta marrëdhëniet e kaluara kanë lënë gjurmet e veta, duke theksuar më shumë mënyrën se si jemi rritur (figura aturitare, ndjenjat e fajita, figura mashkullore e babai apo vëllait, paragjykimet e shoqërisë apo frika e të  quajturit vajza “e keqe”)

Cilado qofshin arsyet apo situatat, gjithmonë e ka një zgjidhje!!! Çdonjëra nga ne e gjen forcën brenda vetes për të rimarrë kontrollin e vetes dhe të jetës. Çdonjëra nga ne e pastron diamantin që ka brenda shpirtit të vet, sado që për një periudhë mund të jetë mbuluar nga emocionet, mendimet dhe ndjenjat e padëshiruar, e ka aftësinë për ta gjetur forcën që ta bëjë të shkelqejë duke i dhënë dritë dhe pastëri vetes dhe të tjerëve që na rrethojnë!!

PS: Ai do të rikthehet disa herë dhe kjo është e sigurt, por tashmë do të ketë frikë të përballet me forcën që shfaqet nga shkëlqimi i syve të tu.

Shporta0
Nuk ka produkte në shportë
Mbyll Shportën
0