A të ka ndodhur ndonjëherë të dëgjosh një këngë nga një periudhë e caktuar e jetës dhe brenda pak sekondash, të rikthehesh emocionalisht pikërisht aty? Apo një aromë gatimi të të çojë menjëherë në kuzhinën e gjyshes, me gjithë ndjesinë e ngrohtësisë dhe sigurisë që kishe atëherë?
Kjo nuk është thjesht nostalgji. Është mënyra si funksionon truri ynë çdo ditë, shpesh pa e kuptuar fare. Dhe kjo ka një emër: ankorim emocional.
Fillimisht, çfarë është NLP?
Para se të vazhdojmë: NLP (Neuro-Linguistic Programming) është një qasje praktike që studion lidhjen mes mënyrës si mendojmë, gjuhës që përdorim dhe sjelljes sonë të përditshme. Ideja bazë është e thjeshtë: mënyra si i interpretojmë përvojat tona dhe si flasim me veten dhe me të tjerët, ndikon drejtpërdrejt në mënyrën si ndihemi dhe si veprojmë.
NLP-ja u zhvillua fillimisht duke studiuar njerëz shumë efektivë në komunikim dhe rritje personale, për të kuptuar çfarë bëjnë ndryshe dhe si mund të mësohen këto modele nga të tjerët. Me kalimin e kohës, ajo është kthyer në një set teknikash konkrete që synojnë të ndihmojnë njerëzit të ndryshojnë modele mendimi që nuk u shërbejnë, të përmirësojnë komunikimin dhe të menaxhojnë më mirë gjendjet emocionale.
Prej dekadash, NLP përdoret në fusha të ndryshme si coaching, terapi, zhvillim personal, lidership dhe negocim. Nuk është thjesht teori, por një mënyrë për të kuptuar dhe përdorur më me vetëdije mënyrën si funksionon mendja jonë në situata reale. Dhe një nga teknikat më të thjeshta, por edhe më të fuqishme që vjen prej saj, është ankorimi.
Si funksionon një ankorë?
Një “ankorë” është çdo stimul i jashtëm; një këngë, një aromë, një zë, një fjalë apo edhe një gjest, që truri yt e ka lidhur me një gjendje të caktuar emocionale. Kur ai stimul shfaqet përsëri, emocioni rikthehet automatikisht.
Termi “ankorë” ose e thënë shqip, “spirancë”, vjen pikërisht nga ideja e spirancës së një anijeje. Ashtu si spiranca e mban anijen të lidhur në një vend të caktuar, edhe një stimul i caktuar “e lidh” mendjen tënde me një gjendje emocionale specifike. Mjafton të “hedhësh spirancën” (pra të aktivizosh stimulin) dhe rikthehesh në të njëjtën gjendje, pa pasur nevojë të kalosh gjithë procesin që e krijoi atë fillimisht.
Sa më e fortë të ketë qenë përvoja emocionale në momentin kur është krijuar kjo lidhje, aq më i fuqishëm bëhet edhe ankorimi. Kjo është arsyeja pse disa këngë apo aroma kanë efekt kaq të menjëhershëm dhe intensiv mbi ne.
Por, jo të gjitha ankorat janë pozitive. Disa na ndihmojnë, të tjera na pengojnë.
Lajmi i mirë? Këto lidhje nuk janë vetëm rastësore. Mund t’i krijosh edhe vetë, në mënyrë të qëllimshme.
Si mund ta përdorësh në praktikë
Imagjino që ke një prezantim të rëndësishëm dhe e di që zakonisht ndihesh nervoz/e në situata të tilla. Me teknikën e ankorimit, mund të “ruash” një gjendje që e ke përjetuar më parë, si vetëbesim, qetësi apo fokus, dhe ta aktivizosh pikërisht kur të duhet.
Procesi është i thjeshtë:
- Kujto një moment nga e kaluara ku je ndier shumë i/e sigurt, i/e qetë ose i/e fokusuar.
- Përjetoje atë kujtim si të ishte duke ndodhur tani(çfarë pe, dëgjove, ndjeve).
- Në kulmin e atij emocioni, bëj një gjest të vogël fizik (p.sh. bashko gishtin e madh me treguesin).
- Përsërite këtë disa herë.
Me kalimin e kohës, ai gjest bëhet një “çelës” që të ndihmon ta rikthesh atë gjendje kur të duhet.
Kjo është arsyeja pse:
- sportistët e përdorin këtë teknikë para garave,
- folësit publikë para se të dalin në skenë,
- dhe njerëzit që përballen me ankth për ta menaxhuar më mirë veten.
Po mendoj të organizoj një trajnim praktik mbi NLP-në, ku fokusi nuk do të jetë thjesht tek teoria, por tek mënyra se si këto teknika mund të përdoren realisht në jetën e përditshme.
Arsyeja pse po e konsideroj këtë është sepse NLP ofron mjete shumë konkrete për të kuptuar dhe menaxhuar më mirë mënyrën si mendojmë, si reagojmë dhe si komunikojmë me të tjerët. Janë aftësi që nuk mbeten vetëm në një kontekst të caktuar, por të shërbejnë në çdo fushë të jetës nga puna dhe marrëdhëniet, deri tek vetëbesimi dhe qetësia e brendshme.
Në këtë kuptim, të mësosh dhe të praktikosh këto teknika është si të kesh në dorë një “çelës” që të ndihmon të kesh më shumë kontroll mbi gjendjet e tua emocionale dhe mënyrën si përballesh me situatat e përditshme, personale dhe profesionale.
Fleura Shkëmbi
Psikologe Klinike, Coach, Trajnere & Hipnoterapiste
Autore e “Gjurmët e Padukshme të Frikës: Rruga për të Fituar mbi Ankthin” & Kartat “Veç Fol”
