Çfarë po të pengon? Mendimet? Emocionet? Apo besimet?
Ka disa fjali që ndoshta nuk i themi kurrë me zë të lartë. Ndoshta nuk i ndajmë me askënd. Por ato janë aty, të fshehura mirë:
- Në mënyrën si hezitojmë përpara një mundësie të re.
- Në mënyrën si e ulim veten (apo skuqemi) kur dikush na komplimenton.
- Në mënyrën si qëndrojmë në situata që na bëjnë dëm, sepse diku brenda nesh mendojmë se nuk meritojmë më shumë.
Ndonjëherë, kufijtë më të fortë nuk janë ata që na vendosin të tjerët. Janë ata që i kemi vendosur vetë vetes. Dhe këta kufij kanë një emër: besime kufizuese.
Çfarë është, saktësisht, një besim kufizues?
Nuk është thjesht një mendim kalimtar si “Sot nuk jam në ditën time më të mirë” apo “Kam pak emocione tani”. Një besim kufizues shkon më thellë; është një “e vërtetë” e padiskutueshme që ne vetë kemi krijuar për veten, për njerëzit ose për botën.
Dallimi: Fakti që një mendim ndihet i vërtetë, nuk do të thotë se është i vërtetë. Ndonjëherë është thjesht… i njohur. Dhe gjërat e njohura, edhe kur na lëndojnë, na duken të sigurta.
Ato funksionojnë si një lente e padukshme. Ti nuk e vëren që po e mban, por e sheh dhe e interpreton çdo gjë përmes saj.
Si krijohen besimet kufizuese?
Besimet kufizuese nuk mbijnë nga hiçi. Ato janë produkt i përvojave të vjetra: fjalët që kemi dëgjuar në fëmijëri, krahasimet, kritikat, apo momentet kur jemi ndjerë të pambrojtur.
Në fillim, mendja i krijon këto besime si mburoja për të na shpëtuar nga dhimbja:
- “Mos u shpreh shumë, që të mos të gjykojnë.”
- “Mos provo, që të mos dështosh.”
Por ajo që dikur të ka mbrojtur, sot po të mban të bllokuar.
5 besimet kufizuese më të zakonshme dhe si të çlirohesh prej tyre
- “Nuk jam mjaftueshëm e mirë”
Ky besim prek shpesh edhe njerëz që nga jashtë duken të suksesshëm. Çdo arritje duket sikur zgjat pak, ndërsa çdo gabim peshon shumë. Mund të jetosh me ndjesinë se duhet ta vërtetosh vazhdimisht vlerën tënde.
Ndrysho këndvështrimin: Mos i krahaso prapaskenat e tua të lodhshme me “skenën e ndriçuar” të të tjerëve. Ajo që sheh tek të tjerët është shpesh vetëm një pjesë e historisë.
Pyete veten: Çfarë do të ndryshonte sot nëse do të sillesha si një person që e di se ka vlerë?
- “Nuk ia dal dot”
Ky mendim shfaqet shpesh përpara ndryshimeve të mëdha ose situatave të reja. Mund të të duket që po tregohesh realiste, por shpesh është thjeshtë frikë e veshur me gjuhën e arsyes.
Ndrysho këndvështrimin: Vetëbesimi nuk ndërtohet vetëm duke menduar, por edhe duke vepruar. Nuk ke nevojë ta shohësh të gjithë rrugën që në fillim; mjafton të shohësh hapin e radhës.
Pyete veten: Cili është hapi më i vogël që mund të bëj sot, pa e mbingarkuar veten?
- “Duhet të jem perfekte që të më pranojnë”
Perfeksionizmi shpesh lidhet me frikën nga gabimi, kritika ose refuzimi. Ai mund të duket si ambicie, por në shumë raste të mban të bllokuar: të bën të rishikosh çdo email dhjetë herë, të shtysh vendimet në përditshmëri dhe të kesh vështirësi të ndihesh e qetë edhe kur ke bërë më të mirën.
Ndrysho këndvështrimin: Pranimi i vërtetë nuk kërkon përsosmëri; kërkon autenticitet, ndershmëri me veten dhe guxim për të qenë njerëzore.
Pyete veten: A po më ndihmon ky standard, apo po më mban të ngrirë?
- “Nëse them jo, do t’i zhgënjej të tjerët”
Kur thua “po” ndërkohë që trupi dhe mendja jote po thonë “jo”, nuk po bëhesh domosdoshmërisht më e mirë; shpesh po shmang konfliktin, fajin ose frikën se mos nuk pranohesh. Një “po” e thënë me pakënaqësi të brendshme krijon distancë, jo afrimitet.
Ndrysho këndvështrimin: Kufijtë nuk janë mure për të larguar të tjerët; janë mënyra të shëndetshme për të mbrojtur energjinë, kohën dhe mirëqenien tënde.
Pyete veten: A po i respektoj nevojat e mia po aq sa respektoj nevojat e të tjerëve?
- “Është shumë vonë për mua”
Ky besim mund të shfaqet pas një moshe të caktuar, pas një ndarjeje, një humbjeje, një dështimi ose një periudhe të gjatë pasigurie. Por e vërteta është se shpesh nuk është vonë; thjesht mund të jetë e dhimbshme të pranosh sa kohë ke kaluar larg dëshirave, nevojave ose ëndrrave të tua.
Ndrysho këndvështrimin: Fokusohu tek ajo që ende mund të ndërtosh, me burimet, përvojën dhe vetëdijen që ke sot.
Pyete veten: Çfarë është ende e mundur për mua, duke filluar nga ky moment?
Një ushtrim i shpejtë 5-minutësh për ty
Ndryshimi nuk vjen përmes presionit, por përmes ndërgjegjësimit. Merr një letër dhe plotëso këtë fjali me sinqeritet:
“Unë shpesh nuk e lejoj veten të _________, sepse besoj se _________.”
Për shembull:
“Unë shpesh nuk e lejoj veten të kërkoj ndihmë, sepse besoj se duhet t’ia dal gjithmonë vetë.”
Pasi ta kesh shkruar, ndalu për pak dhe shikoje me kujdes atë fjali. Pyete veten:
A është kjo një e vërtetë, apo një histori e vjetër që e kam mësuar dikur dhe ende po e mbaj me vete?
Fleura Shkëmbi
Psikologe Klinike, Coach, Trajnere & Hipnoterapiste
Autore e “Gjurmët e Padukshme të Frikës: Rruga për të Fituar mbi Ankthin” & Kartat “Veç Fol”
