Në shkrimin e kaluar folëm për dy mekanizmat e rezistencës: reagimin emocional dhe mbrojtjen e egos.
Tani do të ndalemi tek një çështje po aq e rëndësishme: si ta kalojmë këtë rezistencë?
Truri është i programueshëm. Dhe këto 4 strategji, të mbështetura nga kërkimet në neuroshkencë, funksionojnë edhe kur s’ke motivim, disiplinë apo dëshirë.

 

  1. Rregulli i 3 Sekondave

(Menaxhimi i dialogut të brendshëm)

Kur truri nis sabotimin (“më vonë”, “jo tani”), ke vetëm disa sekonda për të ndërhyrë përpara se rezistenca ta marrë kontrollin.

Si funksionon:
Përgjigju menjëherë me një veprim të vogël brenda 3 sekondave.
Jo mendim — veprim.

Shembuj:

  • U kujtove për ujë? Çohu menjëherë dhe mbushe gotën.
  • Duhet të hapësh laptopin? Shtype butonin tani.
  • Dëshiron të shkosh në palestër? Vish rrobat sportive menjëherë.

Pse funksionon:
Aktiviteti i menjëhershëm ul aktivitetin e amigdalës (burimi i frikës) dhe rrit aktivizimin e korteksit prefrontal — zona e vendimmarrjes.
Kur vepron ti thyen spiralen emocionale që të mban të ngecur.

 

  1. “Shkalla Mikro”: Ndaje detyrën në hapa të vegjël

(Reduktim i ngarkesës emocionale)

Siç e pamë, truri krijon rezistencë ndaj gjërave të mëdha.
Zgjidhja është t’i ndash detyrat deri në një nivel që mund të duket edhe qesharak.

Për shembull, nëse detyra është “Duhet të shkruaj 3 faqe”.
Ti përcakto: “Do hap dokumentin.”

Jo “Duhet të vrapoj 30 minuta”.
Por: “Do vesh atletet.”

Jo “Duhet të pastroj shtëpinë”.
Por: “Do mbledh vetëm gotat.”

Pse funksionon:
Detyrat e përmbushura, sado mikroskopike, aktivizojnë dopaminën — substanca e “përparimit”. Edhe një progres i vogël mjafton që të ndezësh ciklin e motivimit.

 

  1. Strategjia “Para + Gjatë”: Rregullo mjedisin, jo vullnetin

(Metoda e neuro-shoqërimeve)

Njerëzit mendojnë se kanë problem me vullnetin. Në fakt, shpesh kanë problem me mjedisin.

Truri punon me shoqërime (asocime). Ajo që sheh → përcakton atë që bën.

Para detyrës:

  • Lëre librin mbi tavolinë
  • Vëri rrobat e palestrës në vend të dukshëm
  • Lëre telefonin në një dhomë tjetër
  • Përgatit çajin/kafen për studim

Gjatë detyrës:

  • Krijo një mjedis të njëjtë (muzikë, aromë, vend)
  • Eliminimi i shpërqendrimeve rrit fokusin 40–60%

Pse funksionon:
Mjedisi i qartë ul kërkesat e korteksit prefrontal. Truri fillon të punojë automatikisht, pa pasur nevojë për beteja të njëpasnjëshme.

 

  1. Neuro-Asocimi Pozitiv: Shndërroje detyrën në diçka shpërblyese

(Riprogramimi i sistemit të shpërblimit)

Shumë detyra i shmangim sepse mendja i lidh me stresin, jo me shpërblimin.

Ndryshoje këtë asocim.

Si ta zbatosh:
Pas çdo detyre, jepi trurit një shpërblim të vogël:

  • një shënim “Bravo, e bëra!”
  • 5 minuta pushim
  • një ecje 2-minuta jashtë
  • Pak kohë me një njeri të dashur
  • një tick në listë (truri ynë e adhuron përmbushjen e listave)

Pse funksionon:
Shpërblimet stimulojnë dopaminën → truri fillon të njohë detyrën si burim kënaqësie, jo si kërcënim. Dhe rezistenca pakësohet çdo ditë.

Përfundim:

Kur e kupton se:

  • reagimi emocional është pjesë normale e procesit,
  • egoja përpiqet të të mbrojë,
  • dhe truri gjithmonë kërkon rrugën më të lehtë,

… atëherë nuk lufton më kundër vetes. Përkundrazi, fillon të bashkëpunosh me trurin tënd.

Nëse këto strategji i zbaton për 7 ditë rresht, sistemi yt i shpërblimit nis të riformatohet gradualisht. Rezistenca zvogëlohet, fillimet bëhen më të thjeshta dhe energjia e brendshme rritet në mënyrë të natyrshme.

 

Fleura Shkëmbi
Psikologe Klinike, Coach & Hipnoterapiste
Autore e “Gjurmët e Padukshme të Frikës: Rruga për të Fituar mbi Ankthin”

Shporta0
Nuk ka produkte në shportë
Mbyll Shportën
0