Çfarë është një narcisist?

Një narcisist është një person që ka Çrregullimin e Personalitetit Narcistik, një çrregullim personaliteti i diagnostikuar klinikisht që karakterizohet nga madhështia, një nevojë për admirim dhe mungesë ndjeshmërie ndaj njerëzve të tjerë.

Personat me çrregullim personaliteti narcistik janë arrogantë, janë ziliqarë, besojnë se kanë gjithmonë të drejtë, i japin tepër rëndësi vetes, kanë mungesë ndjeshmërie dhe janë shfrytëzues.

 

Më poshtë do të paraqitet një këndvështrim i detajuar i shenjave që tregojnë që keni të bëni me një narcisist.

  1. Superioriteti

Superioriteti është shenja nr. 1 e një narcisisti. Bota e një narcisisti është e lidhur drejtëpërdrejtë me të mirën ose të keqen, superioritetin ose inferioritetin, të drejtën ose të gabuarën. Ekziston një hierarki e caktuar, me narcisistin në krye – i cili është i vetmi vend ku ata ndjehen të sigurt. Narcisistët duhet të jenë më të mirët, më të drejtët dhe më kompetentët; bëjnë gjithçka sipas mënyrës së tyre; zotërojnë gjithçka; dhe kontrollojnë të gjithë.

Nga ana tjetër, është interesante, se si në të njëjtën mënyrë narcisistët mund t’i marrin ndjesitë e superioritetit edhe duke qenë më të këqinjtë, më të gabueshmit, më të sëmurët, më të mërziturit ose më të lënduarit.

Më pas ata ndjejnë të drejtën t’ju lëndojnë, ose t’ju bëjnë që të kërkoni falje, që gjërat të barazohen.

 

  1. Nevojë e ekzagjeruar për vëmendje dhe aprovim

Një narcisist do e përmbushë domosdoshmërisht nevojën e tij për vëmendje- do ju ndjekë rreth e rrotull shtëpisë, do ju kërkojë të gjeni ndonjë gjë ose do ju thotë diçka madje edhe të papëlqyeshme vetëm që t’ju tërheqë vëmendjen.

Narcisisti ka një nevojë të madhe të ndihet i vlerësuar, vlerësim që mund ta marrë vetëm nga të tjerët. E megjithatë edhe në momentin që e merr, për të nuk përbën ndonjë ndryshim.

Pavarësisht të gjithë dashurisë, admirimit dhe vlerësimit që ti i tregon narcisistit, për ta nuk mjafton kurrë – sepse thellë thellë, ata nuk besojnë që dikush mund vërtetë t’i dojë ata.

 

  1. Perfeksionizmi

Një narcisist po ashtu dallohet nga nevoja e tij që çdo gjë të jetë perfekte. Sipas narcisistëve ata vetë duhet të jenë perfekt, çdo kush tjetër duhet të jetë perfekt, çdo ngjarje duhet të zhvillohet ekzaktësisht sipas planeve dhe jeta duhet të ecë brenda pritshmërive dhe parashikimeve të tyre. Normalisht kjo është e pamundur të ndodhë, ndaj ata shpesh ndihen të pakënaqur e të mjeruar.

 

  1. Nevoja shumë e madhe për kontroll

Duke qenë se narcisistët zhgënjehen vazhdimisht nga mënyrat e papërsosura në të cilat shpaloset jeta, ata bëjnë çdo gjë që kanë në pushtetin e tyre për ta kontrolluar dhe formësuar atë.

Ata duan dhe kërkojnë të kontrollojnë gjithçka dhe në një farë mënyre ndjejnë që kanë të drejtë ta bëjnë. Për narcisistin ti je thjesht një personazh në lojën apo filmin e tij/saj,  jo një njeri me ndjenja dhe mendime të vlefshme.

 

  1. Mungesa e empatisë

Narcisistët kanë shumë pak aftësi për të ndjerë empati ndaj të tjerëve; Kjo mungesë e empatisë është një shenjë dalluese e narcisizmit. Narcisistët kanë tendencë të jenë egoistë, plotësisht të fokusuar te vetja dhe zakonisht nuk janë në gjendje të kuptojnë se çfarë ndiejnë njerëzit e tjerë.

Ata presin që të tjerët të mendojnë dhe të ndjehen njësoj si ata dhe rrallë mendojnë se si ndjehen të tjerët. Ata gjithashtu shumë rrallë kërkojnë falje apo shfaqin ndonjë shenjë faji.

 

  1. Frika nga refuzimi dhe tallja

E gjithë jeta e një narcisisti është e motivuar dhe energjizuar nga frika. Ata kanë në mënyrë të vazhdueshme frikën se mos gabojnë, i tallin apo i refuzojnë. Ata mund të shfaqin frikë nga mikrobet, nga humbja e të gjithë pasurisë, nga sulmet fizike ose emocionale, nga braktisja, etj.

Të gjitha këto e bëjnë të vështirë, ndonjëherë edhe të pamundur, që narcisisti të mund t’i besojë dikujt. Në fakt, sa më e afërt të jetë marrëdhënia juaj me të, aq më pak do t’ju besojë.

Narcisistët i tremben shumë çdo lloj intimiteti, sepse kanë frikë që ju do të dalloni papërsosshmëritë e tyre dhe do t’i braktisni apo refuzoni. Pavarësisht mundit tuaj për t’i treguar se i doni, për ta nuk bën asnjë ndryshim sepse ata vetë i urrejnë thellësisht papërsosshmëritë e tyre.

Narcisistët nuk i besojnë kurrë dashurisë së të tjerëve, madje tentojnë gjithë kohën t’ju testojnë herë pas here me sjellje edhe cënuese deri kur të gjejnë pikën tuaj të thyerjes.

 

  1. Paaftësi për të komunikuar apo për të punuar në skuadër.

Sjelljet e mirëmenduara dhe bashkëpunuese kërkojnë një kuptim të vërtetë të ndjenjave të të tjerëve. Si do të ndihet personi tjetër? A do të na bëjë të lumtur ky veprim të dyve? Si do të ndikojë kjo në marrëdhënien tonë? Këto janë pyetje për të cilat narcisistët nuk kanë kapacitetin apo motivimin për të menduar.

Shporta0
Nuk ka produkte në shportë
Mbyll Shportën
0