Je ulur në shtëpi, në një mbrëmje të qetë. Çdo gjë duket në rregull. Por papritur, zemra nis të rrahë më shpejt. Frymëmarrja bëhet e cekët. Një ndjesi e çuditshme shfaqet në kraharor. Ky është ankthi.

Dhe ti pyet veten: “Po tani pse? Nuk kam asnjë problem”

Shpeshherë njerëzit besojnë se ankthi është thjesht një reagim ndaj situatave aktuale. Në të vërtetë, realiteti është më i ndërlikuar: trupi dhe truri ruajnë kujtimet e çdo frike të përjetuar ndonjëherë, edhe ato që mendja e vetëdijshme i ka harruar. Këto kujtime të fshehura mund të riaktivizohen nga situata krejt të zakonshme, duke shkaktuar ankth pa arsye të dukshme.
Kjo është arsyeja pse shpesh ndihesh i shqetësuar, edhe kur gjithçka rreth teje duket në vendin e vet.

 

Çfarë janë gjurmët e padukshme të frikës?

Kur përjeton një moment frike, një sulm paniku, një situatë traumatike ose një periudhë të gjatë stresi, trupi yt nuk e harron lehtë. Sistemi nervor e ruan atë përvojë si një alarm të brendshëm mbijetese.
Në thelb, trupi yt ka mësuar: “Këtu kishte rrezik. Duhet të jem gati në rast se ndodh përsëri.”
Problemi është se ky alarm mund të ndizet edhe kur nuk ka asnjë rrezik real.

Mendo sikur dikur ke kaluar një përvojë të vështirë në një ambient të mbyllur. Ndoshta mendja jote e ka harruar tashmë, por trupi nuk e ka fshirë atë kujtim. Vite më vonë, thjesht duke hyrë në një ashensor, zemra nis të rrahë fort, frymëmarrja ngushtohet dhe ndien ankth.
Nuk është se po “shpik” diçka. Është thjesht trupi yt që reagon ndaj një kujtese të fshehur, për të cilën ti nuk je më i vetëdijshëm.

 

Tre arsye që frika riaktivizohet

  1. Shkaqet e fshehura (triggers)
    Një tingull, aromë, skenë ose situatë që të kujton — shpesh pa e ditur — një përvojë të vjetër frike. Trupi reagon automatikisht për të të mbrojtur.
  2. Frika e painteguar
    Shpesh “i fusim në sirtar” përjetimet e vështira dhe vazhdojmë jetën. Por trupi nuk i harron. Ato mbeten si energji e pashfryrë që kërkon momentin për të dalë në sipërfaqe.
  3. Modelet e mësuara
    Nëse ankthi ka qenë pjesë e jetës për kohë të gjatë, sistemi nervor mësohet të jetë në alarm. Edhe kur jeta qetësohet, trupi vazhdon të reagojë sikur rreziku është ende aty.

 

Hapa praktikë për të filluar

Nëse po mendon “Mirë, por çfarë bëj me këtë informacion?”, ja disa hapa konkretë:

Hapi i Parë: Njihe dhe Pranoje

Hapi i parë nuk është “ta mposhësh” anktin. Është ta njohësh.

Kur ndihesh në ankth, ndalo dhe thuaj: “Po, po ndodh. Trupi im po reagon. Kjo është normale.” Kjo e fokuson energjinë nga lufta (”pse po ndodh kjo?!”) te pranimi (”po ndodh, dhe është në rregull”).

Hapi i Dytë: Dëgjo Trupin

Në vend që të largohesh nga ankti, afrohu. Pyet veten: Ku e ndiej në trup? Në gjoks, stomak, kokë? Si ndihet saktësisht? Është e fortë, e nxehtë, e përhapur? Çfarë po më thotë trupi?

Kjo metodë quhet “vetëdije somatike” dhe është mjaft e fuqishme.

Hapi i Tretë: Krijo Përvojë të Re Sigurie

Trupi yt ka nevojë për të mësuar se “tani jam i sigurt.”

Një praktikë shumë e thjeshtë: merr frymë të thellë. Merr frymë për 5 sekonda dhe nxirre frymën ngadalë teksa numëron deri në 7. Vendos dorën mbi zemër. Përsërit me vete: “Tani jam i sigurt. Nuk ka rrezik këtu.”

Hapi i Katërt: Kërko Mbështetje Profesionale

Nëse ankthi është intensiv ose i vazhdueshëm, është e rëndësishme të punosh me profesionist. Transformimi nuk ndodh brenda natës. Por çdo hap që hedh drejt integrimit të frikës është një hap drejt sigurisë së brendshme.

Gjurmët E Padukshme Të Frikës – Rruga Për Të Fituar Mbi Ankthin

Shporta0
Nuk ka produkte në shportë
Mbyll Shportën
0