Vetë-vlerësimi; e dëgjojmë kudo, të gjithë e synojmë, por çfarë ndërton vërtetë baza të forta për një vetë-vlerësim të lartë?
Ne të gjithë përjetojmë momente vetë-dyshimi herë pas here, por vetë-vlerësimi i ulët në mënyrë të vazhdueshme përbën një pengesë shumë të rëndësishme në përmbushjen e potencialin tënd. Pra, si të ndërtojmë një vetëvlerësim aq të fortë sa nuk lëkundet as nga stuhitë?
E vërteta është që nuk ka një zgjidhje të vetme. Vetë-vlerësimi është një rrugëtim, jo një destinacion. Këtu janë disa strategji të fuqishme që mund t’i përfshish në jetën tënde të përditshme për të ndërtuar një busullë të fortë të brendshme.
- Hesht kritikun e brendshëm
Të gjithë e kemi atë zërin e bezdisshëm në kokë, që nuk rri dot pa na vënë në dukje të metat dhe gabimet. Por ja diçka që duhet të dish: ai zë nuk thotë gjithmonë të vërtetat.
Hapi i parë është ta njohim këtë bisedë negative me veten. Çfarë i themi vetes kur gabojmë? “Jam kaq i paaftë” ose mbase “Nuk do ja dal dot kurrë”? Sapo të vetëdijësohesh për këto modele të të menduarit, mund të fillosh t’i sfidosh. Pyete veten: “A do i flisja ndokujt tjetër në këtë mënyrë? Kështu do i drejtohesha një shoqeje? Nëse jo, pse të jesh aq kritike me veten?
- Gëzoju pikave të tua të forta
Është e lehtë të dallojmë dhe të fokusohemi tek pikat e dobëta. Nëse të pyes për pikat e dobëta, apo mangësitë e tua, me siguri të rrjedh një listë e konsiderueshme. Po nëse të pyes për pikat e tua të forta? Sa mund të identifikosh?
Bëj një përpjekje të vetëdijshme për të identifikuar talentet dhe aftësitë e tua. Je i/e mirë në zgjidhjen e problemeve? Je një mik besnik? Një talent në kuzhinë? Shkruaji të gjitha në një fletë dhe referoju në momente vetëdyshimi. Mbase mund ta çosh edhe një hap më larg: Ndaji pikat e tua të forta me të tjerët! Vlerësimi nga të tjerë mund të jetë një nxitës shumë i mirë i vetë-vlerësimit.
- Fokusohu tek rritja, jo perfeksionizmi
Askush nuk është perfekt. Dhe kjo është në rregull. Vetë-vlerësimi nuk ka të bëjë me arritjen e disa idealeve jorealistike. Vetë-vlerësimi ka të bëjë me të pranuarit e vetes ndërkohë që vazhdon të synosh të rritesh. Vendos qëllime që të sfidojnë, por në të njëjtën kohë të jenë të arritshme. Mbase dëshiron të mësosh një gjuhë të re ose ta rimarrësh furçën e pikturimit sërish në dorë. Ndjesia e arritjes dhe e përmbushjes që merr nga realizimi i këtyre qëllimeve të vogla, do të ndihmojë në rritjen e vetë-vlerësimit tënd në terma afatgjatë. Kujto, progres, jo perfeksion.
- Jepi vetes dashuri (Sepse e meriton!)
Trajtoje veten me të njëjtën mirësi dhe dhembshuri që do trajtoje një njeri të zemrës. Kjo do të thotë të kujdesesh për veten, për shëndetin tënd fizik dhe mendor. Çfarëdo që të nënkuptojë vetë-kujdesi për ty, qoftë të lexosh një libër të mirë, të kalosh kohë në natyrë apo të relaksohesh në një dush të ngrohtë, bëje. Jepi prioritet vetë-kujdesit tënd.
- Rrethoje veten me njerëz pozitivë (Janë më të rëndësishëm nga ç’mendon)
Njerëzit me të cilët kalon kohë mund të ndikojnë thelbësisht në vetë-vlerësimin tënd. Kërko për individë mbështetës dhe inkurajues që të ngrejnë dhe festojnë bashkë me ty sukseset e tua. Mbase është një mik i mirë që ka besuar gjithmonë tek ti, mbase një mentor që ofron këshilla shumë të vlefshme ose një familjar që di të të mbështesë. Limitoje kohën me njerëz që tentojnë të të ulin apo që krahasohen vazhdimisht me ty. Kohën tënde të çmuar dhuroja atyre që e duan mirëqenien dhe suksesin tënd po aq sa ti.
Kujto: Ndërtimi i vetë-vlerësimit është një proces që vazhdon. Ndonjëherë do ndihesh keq, por mos e lejo të të përkufizojë. Ti je më shumë se sa 1 moment apo 1 mendim i caktuar. Duke përfshirë strategjitë e mësipërme në jetën tënde, ti mund të kultivosh një sens të fortë vlerësimi për veten që do të të fuqizojë të jetosh jetën tënde më të mirë. Trego durim, mirësi ndaj vetes dhe gëzoju rrugëtimit tënd!