Ka një pyetje që rrallë ia bëjmë vetes, edhe pse përgjigjja e saj ndikon në shumëçka që ndodh në marrëdhëniet tona: A e dua këtë person, apo po kapem pas tij sepse pranë tij nuk ndihem vetëm?

Nga jashtë, të dyja mund të duken njësoj. Të dyja të bëjnë të telefonosh, të presësh, të ndjesh mungesën dhe të vuash kur tjetri largohet. Por nga brenda janë dy përvoja krejt të ndryshme.

 

Dy nevoja që shpesh i ngatërrojmë

Dashuria është një lëvizje drejt tjetrit. Të intereson kush është ai në të vërtetë, edhe atëherë kur nuk përputhet me atë që do ti. Mund të qëndrosh pranë tij pa pasur nevojë ta kontrollosh dhe mund t’i japësh hapësirë pa u shkatërruar nga frika se do ta humbasësh.

Siguria, nga ana tjetër, është një përpjekje për të qetësuar diçka brenda nesh. Kërkon të ndihesh i mbrojtur, i pranuar, i zgjedhur. Tjetri bëhet burim i kësaj qetësie. Dhe kur ai nuk e përmbush më këtë rol, mund të ndjesh sikur po të shembet toka nën këmbë.

Siguria, në vetvete, nuk është problem. Është një nevojë njerëzore dhe plotësisht normale. Problemi fillon kur e ngatërrojmë sigurinë me dashurinë dhe e quajmë “dashuri” diçka që në thelb drejtohet nga frika.

 

Frika e humbjes flet me zë të lartë

Në praktikën time klinike e shoh shpesh këtë model. Një person vjen dhe thotë: “E dua shumë. Nuk mundem pa të.” Por kur flasim më thellë, ajo që po përshkruan nuk është gjithmonë dashuri. Shpesh është panik. Frika e humbjes ka disa shenja të dallueshme:

  • Urgjencë. Nuk arrin të presësh. Një mesazh pa përgjigje të ndez menjëherë ankthin.
  • Skenarë katastrofikë. Mendja kalon menjëherë te: “Po largohet”, “Ka dikë tjetër”, “Nuk jam i mjaftueshëm”.
  • Kontroll, i hapur ose i maskuar. Pyetje të vazhdueshme, kërkim sigurish, nevojë për prova se gjithçka është në rregull.
  • Heqje dorë nga vetja. Pranon gjëra që në të vërtetë nuk i do, vetëm që të mos rrezikosh humbjen.
  • Një marrëdhënie që mbahet nga frika. Qëndron edhe atëherë kur ndihesh i vogël, i shuar ose i pavlerësuar.

Dashuria mund të përmbajë mungesë, pasiguri dhe dhimbje. Por nuk ka nevojë të të mbajë vazhdimisht në gjendje alarmi.

 

Pyetje që ia vlen t’ia bësh vetes

Nuk ka përgjigje të sakta. Ka vetëm përgjigje të ndershme.

1. Çfarë ndiej kur personi është larg: mungesë apo panik? Mungesa mund të dhembë, por lë brenda saj një lloj hapësire. Paniku të ngushton. Të shtyn të veprosh menjëherë, vetëm që të mos e ndiesh pasigurinë.

2. A e njoh vërtet këtë person, apo jam i lidhur kryesisht me atë që ai më jep mua? A e dua personin që është, apo rolin që ka marrë në jetën time?

3. Nëse do ta dija me siguri se nuk do të mbetesha vetëm, a do ta zgjidhja përsëri këtë marrëdhënie? Kjo pyetje shpesh i ndan gjërat më shpejt nga sa mendojmë.

4. A jam më shumë vetvetja pranë këtij personi, apo bëhem më i vogël? A mund të flas lirshëm, të vendos kufij, të mos jem dakord? Apo jam gjithmonë duke matur veten me frikën se mos e humbas?

5. Çfarë po përpiqem të mos ndiej? Ndonjëherë frika e humbjes fsheh një plagë më të vjetër: frikën e braktisjes, të refuzimit, etj.

 

Çfarë ndodh kur i ngatërrojmë?

Kur kërkojmë siguri duke e quajtur atë dashuri, krijojmë marrëdhënie që nga jashtë mund të duken shumë të forta, por nga brenda janë të brishta. Sepse i japim tjetrit një detyrë që asnjë njeri nuk mund ta përmbushë: të na qetësojë nga brenda.

Një partner mund të na ngushëllojë. Mund të na japë afrimitet, kujdes dhe mbështetje. Por nuk mund të bëhet përgjegjës për të gjithë sigurinë tonë të brendshme. Prandaj ndodh që disa njerëz ndryshojnë partner, por jo përvojën. Marrëdhënia e re sjell sërish të njëjtin ankth, të njëjtën nevojë për prova, të njëjtën frikë nga humbja.

Personi përballë ka ndryshuar. Por ajo që kërkon të qetësohet brenda nesh ka mbetur e njëjtë.

 

Si fillon kalimi nga frika te dashuria?

Jo duke e mohuar frikën. Duke e njohur dhe emërtuar. “Tani po frikësohem se do ta humbas. Kjo është frikë, jo fakt.” Duket si një dallim i vogël, por krijon diçka shumë të rëndësishme: hapësirë. Dhe pikërisht në atë hapësirë fillojmë të zgjedhim në vend që të reagojmë.

Pastaj vjen puna më e vështirë: të ndërtojmë sigurinë brenda vetes. Të mësojmë të qetësojmë veten. Të njohim vlerën tonë edhe kur tjetri nuk na e konfirmon atë. Të vendosim kufij pa u bindur se çdo kufi do të na kushtojë marrëdhënien. Të përballojmë mundësinë e humbjes pa humbur veten.

Kur siguria fillon të ndërtohet nga brenda, marrëdhënia ndryshon. Dashuria nuk zhduket. Përkundrazi, bëhet më e lirë. Nuk ke më nevojë të kapesh pas tjetrit për t’u ndier i sigurt. Mund ta zgjedhësh sepse e do.

Fleura Shkëmbi
Psikologe Klinike, Coach & Hipnoterapiste
Autore e “Gjurmët e Padukshme të Frikës: Rruga për të Fituar mbi Ankthin” & Kartat “Veç Fol”

Shporta0
Nuk ka produkte në shportë
Mbyll Shportën
0