Si hipnoterapiste klinike, më ndodh shpesh të më pyesin: “Çfarë është në të vërtetë hipnoza Ericksoniane?” Dhe sa herë që ma bëjnë këtë pyetje, unë qesh pak në brendësi, sepse përgjigja nuk është thjesht teknike. Është diçka që e jetoj çdo ditë, brenda meje, në marrëdhëniet e mia, në çdo zgjedhje që bëj, në mënyrën se si flas me veten kur shoh pasqyrën në mëngjes.

Sot dua ta ndaj me ty këtë botë të bukur, jo si një eksperte që të lexon nga një libër, por si dikush që e ka prekur me dorë vlerën e saj dhe që ndien një dëshirë të madhe ta sjellë edhe te ty.

 

Çfarë është vërtet Hipnoza Eriksoniane?

Le ta themi qartë që në fillim: hipnoza Eriksoniane nuk është ajo që sheh në filma. Nuk ka lavjerrës që lëviz para syve, nuk ka të bëjë me njerëz që humbasin kontrollin, nuk ka asgjë mistike apo të frikshme. Hipnoza Eriksoniane është thjesht një gjendje natyrale që mendja jote e arrin disa herë në ditë pa e kuptuar. Po, ne e përjetojmë hipnozën çdo ditë. Ja disa shembuj: kur përfshihesh shumë në një film dhe harron gjithçka rreth teje apo kur fokusohesh aq shumë teksa lexon një libër sa nuk dëgjon kur të thërret dikush.

Ky stil hipnoze u zhvillua nga Milton Erickson, një psikiatër amerikan që revolucionarizoi mënyrën se si e kuptojmë nënvetëdijen. Ai e kuptoi diçka të jashtëzakonshme: nënvetëdija jote nuk ka nevojë për urdhra të drejtpërdrejtë, ajo reagon shumë më mirë me histori, metafora dhe sugjerime të buta që ajo i pranon pa rezistencë.

Përmes hipnozës në komunikim, ne arrijmë në një vend brenda teje ku ndodhin ndryshimet e vërteta. Jo në nivelin e mendjes që mendon, por në nivelin e mendjes që ndjen dhe vepron pa e kuptuar.

 

Nga përvoja ime personale

Kur e zbulova hipnozën Ericksoniane për herë të parë, mendova: “Kjo është diçka me shumë vlerë për pacientët e mi.” Por shumë shpejt kuptova se kjo ishte dhuratë para së gjithash për mua.

Çdo ditë, përpara se të filloj punën, kaloj 10 minuta në një gjendje të vetëhipnozës. Vizualizoj ditën time, ndihem më e qetë, më e qartë, më e fokusuar. Kur përballesha me një situatë e vështirë me ndonjë klient, dikur ndihesha e tensionuar për orë të tëra, ndërsa sot, përmes teknikave që përdor me veten, e lëshoj atë tension brenda pak minutash.

Marrëdhëniet e mia personale kanë ndryshuar sepse komunikoj më mirë, dëgjoj më thellë, reagoj më pak nga frika dhe më shumë nga vetëdija. Dhe pikërisht këtë vlerë të madhe dua ta ndaj me ty.

 

Çfarë e bën të veçantë nga hipnoza tradicionale?

Hipnoza klasike, ajo që ndoshta ke parë në televizion, përdor urdhra të drejtpërdrejtë: “Tani je në gjumë”, “Nuk do pish më duhan”. Kjo metodë funksionon te disa njerëz, por shumë prej nesh kemi brenda një pjesë që i reziston urdhrave.

Hipnoza Eriksoniane është krejt ndryshe. Ajo flet me nënvetëdijen përmes historive, metaforave dhe gjuhës që rrjedh natyrshëm. Nuk të jep urdhra por të jep mundësi. Nuk të detyron por të fton. Dhe kjo është arsyeja pse funksionon edhe te njerëzit më skeptikë, edhe te ata që thonë “unë nuk hipnotizohem”.

 

Mitet rreth hipnozës dhe si qëndron e vërteta

Si profesioniste, kam dëgjuar të gjitha frikërat dhe keqkuptimet rreth hipnozës. Le t’i sqarojmë së bashku, që frika të mos të mbajë larg nga diçka që mund të ndryshojë jetën tënde:

  • “Do humbas kontrollin dhe terapisti mund të bëjë çfarë të dojë me mua.”

Ti ke kontroll të plotë gjatë gjithë procesit. Asgjë nuk ndodh kundër vullnetit tënd.

  • “Do më vënë në gjumë dhe nuk do kujtoj asgjë.”

Ti je plotësisht i zgjuar, i ndërgjegjshëm dhe e kujton gjithçka.

  • “Hipnoza është diçka mistike ose magjike.”

Hipnoza është një gjendje natyrale që e përjeton disa herë në ditë pa e kuptuar.

  • “Vetëm njerëzit e dobët mund të hipnotizohen.”

Sa më inteligjent dhe i hapur të jesh, aq më mirë e përjeton këtë gjendje.

  • “Më duhet të besoj që të funksionojë.”

Funksionon edhe nëse je skeptik. Truri yt reagon natyrshëm.

 

Si e përdor hipnozën Eriksoniane në jetën time të përditshme

Dua të të tregoj diçka që ndoshta nuk e ke menduar: hipnoza Eriksoniane nuk është vetëm për seancat e terapisë por është një mënyrë jetese. Ja si e përdor unë çdo ditë:

Në mëngjes – për të filluar ditën me qartësi:

Përpara se të hap telefonin, kaloj disa minuta në një gjendje të lehtë vetëhipnoze. Vizualizoj se si dua të ndihem gjatë ditës, çfarë energjie dua të kem, si dua të reagoj para sfidave. Kjo praktikë ka transformuar mënyrën se si fillon dita ime.

Në marrëdhënie, për të komunikuar më thellë:

Kur dikush më flet, nuk dëgjoj vetëm fjalët. Vërej tonin, gjestet, ato pauzat midis fjalëve që tregojnë më shumë se ç’thuhet. Hipnoza Eriksoniane më ka mësuar se komunikimi me ndikim fillon duke dëgjuar. Kur njerëzit ndihen të dëgjuar, hapen në mënyra që nuk e kishin imagjinuar.

Në momentet e ankthit për të gjetur qetësinë:

Kur ndiej ankth para një takimi të rëndësishëm, nuk luftoj me të. E njoh, e pranoj, dhe përdor një teknikë të shpejtë vetëhipnoze dhe NLP për të kthyer trupin tim në një gjendje qetësie. Brenda dy minutash, jam tjetër person.

Në zhvillimin profesional, për të rritur veten:

Çdo aftësi të re që dua të zhvilloj e mbjell së pari në nënvetëdijen time. Përmes vizualizimit, përgatis mendjen time për sukses përpara se të bëhet realitet. Ky është një nga sekretet më të mëdha të zhvillimit personal që do të doja t’ia mësoja çdo personi.

 

Çfarë mund të ndryshojë hipnoza Eriksoniane në jetën tënde?

Përfitimet që unë vetë kam parë te klientët e mi

  • Heqja e ankthit dhe sulmeve të panikut në mënyrë natyrale dhe të qëndrueshme.
  • Rritja e vetëbesimit pa qenë nevoja për libra apo motivim të jashtëm.
  • Çlirimi nga frika – frika nga dështimi, refuzimi, e ardhmja.
  • Përmirësimi i gjumit dhe i cilësisë së pushimit.
  • Heqja e zakoneve të padëshiruara – ushqimit emocional, prokrastinimit.
  • Shërimi i traumave të vjetra pa qenë nevoja t’i rijetosh ato me dhimbje.
  • Ndërtimi i marrëdhënieve më të shëndetshme me veten dhe me të tjerët.
  • Përmirësimi i performancës profesionale dhe i krijimtarisë.

Dhe ndoshta më e bukura nga të gjitha, është kthimi i lidhjes me veten tënde të vërtetë, atë version që ishe përpara se bota të të mësonte si “duhet” të ishe.

 

Pse dua ta sjell këtë te ty?

Të jem e sinqertë: kur shoh sa shumë njerëz vuajnë në heshtje prej ankthit dhe stresit të panevojshëm, me dëshpërim, me marrëdhënie të dhimbshme, me ndjesinë se “diçka mungon” pa e ditur saktë çfarë, dhe e di mirë që ka mjete që mund t’i ndihmojnë, nuk mund të rri pa folur.

Si hipnoterapiste klinike, kam parë njerëz që prej vitesh luftonin me të njëjtin problem, ta zgjidhin atë në pak seanca. Kam parë gra që mendonin se nuk do mund të dilnin më nga shtëpia për shkak të ankthit, të fillonin punë dhe të jetonin një jetë të plotë. Kam parë burra që nuk dinin si t’i shprehnin emocionet, të bëhen baballarë dhe partnerë të mrekullueshëm.

Kjo nuk është magji por është psikologji praktike e kombinuar me njohuritë më të thella për mendjen njerëzore. Është një dhuratë që mendja jote ka pritur prej kohësh, dhe që ti nuk e di ende se e ke. Ajo që mund të bësh tani është të lejosh veten për ta pranuar këtë dhuratë.

 

Si Përfundim: një ftesë nga zemra

Mendoje hipnozën Ericksoniane si një gjuhë të re që mund të mësosh, atë gjuhë që mendja jote e brendshme e ka folur gjithë jetën, por që ti nuk dije ta dëgjoje. Kur mëson ta flasësh, gjithçka ndryshon: marrëdhëniet me veten, marrëdhëniet me të tjerët, mënyra se si i përjeton ditët e tua.

Unë e jetoj çdo ditë këtë teknikë dhe mund të të them me siguri: nuk ka kthim sepse gjuha hipnotike dhe teknikat e NLP janë bërë pjesë e të pavetëdijshmes sime dhe unë nuk jam më e vatëdijshme as kur i përdor. Kur e provon një herë dhe ndien atë qetësinë e thellë, atë qartësinë mendore, atë lirinë emocionale që të jep do të kuptosh vlerën e gjithë qenies tënde.

Dhe nëse ndërsa po e lexon këtë artikull, diçka brenda teje mendon “unë dua të ndiej atë qetësinë që po përshkruan” Dëgjoje zërin e intuitës tënde sepse nuk është rastësi. Intuita është pjesa e vetes tënde që ka pritur ditën kur ti, më në fund, do t’i thuash: “Po, jam gati. Le ta bëjmë këtë udhëtim së bashku.”

Sepse unë e di një gjë me siguri: ti e dëshiron dhe e meriton të ndihesh mirë me veten dhe me gjithcka që të rrethon, e meriton qetësinë, e meriton lirinë. Dhe hipnoza Eriksoniane është një nga rrugët më të bukura për të arritur deri aty.

 

Fleura Shkëmbi
Psikologe Klinike, Coach & Hipnoterapiste
Autore e “Gjurmët e Padukshme të Frikës: Rruga për të Fituar mbi Ankthin” & Kartat “Veç Fol”

Shporta0
Nuk ka produkte në shportë
Mbyll Shportën
0