Ke ndjerë ndonjëherë sikur po mendon shumë, por po bën shumë pak? Sikur çdo skenar që imagjinon të sjell më shumë dyshime se qartësi? Truri yt, ky organ i mrekullueshëm që planifikon, analizon dhe krijon strategji, në disa raste kthehet në pengesën më të madhe për lëvizjen përpara.

 

Si mendja racionale krijon justifikime për frikërat irracionale?

Truri ynë është mjeshtër në arsyetime. Ai do ta justifikojë çdo frikë me argumente që duken logjike:

“Nuk është koha e duhur”,

“Nuk jam ende gati”,

“Ndoshta më vonë do të jetë më e lehtë”.

Por në thelb, shumë nga këto “arsye” janë forma elegante të frikës.
Mendja racionale bëhet një avokat i zonës së komfortit — një mbrojtës që përdor inteligjencën për të shmangur rrezikun, ndryshimin apo pasigurinë. Dhe ndërkohë që mbron nga e panjohura, shpesh të mban larg rritjes.

 

Rasti i “Overthinking Paralysis”

Kur analizojmë shumë, mendja prodhon aq shumë skenarë saqë trupi ngurtësohet. Quhet “paralizë nga analiza” – kur çdo veprim i mundshëm shoqërohet me një “po sikur”. Dhe çdo “po sikur” bëhet arsye për të mos lëvizur fare.
Në thelb, është një formë e kontrollit, një përpjekje për të parashikuar gjithçka që mund të shkojë keq, që të mos lëndohesh. Por ashtu si trupi që nuk ushtron për të mos u lodhur, edhe mendja që shmang veprimin dobëson aftësinë për t’u përballur.

 

Mekanizmat mbrojtës që na mbajnë të bllokuar

Kur truri e ndien rrezikun, qoftë edhe imagjinar, ai ndez alarmet. I quan “rrezik” gjërat që nuk i njeh, si një ndryshim pune, një vendim personal apo një hap emocional. Dhe për të të “mbrojtur”, të ndalon. Të mbush me dyshime, arsyetime, dhe ndonjëherë, me lodhje mendore. Ironia është se ky sistem që u krijua për të të shpëtuar, sot shpesh të pengon të jetosh plotësisht.

 

Pse truri yt inteligjent po punon kundër teje

 

Teknikë: “Dialogu i Brendshëm Konstruktiv”

Në vend që ta luftosh mendjen, provo të bashkëpunosh me të.

Shembull:

  • Mendja: “Ndoshta nuk je gati.”
  • Ti: “E di që po përpiqesh të më mbrosh, por kjo është mënyra ime për t’u rritur.”

Ky ndryshim i vogël e shndërron trurin nga sabotues në aleat.

 

Një praktikë e shkurtër

  1. Zgjidh një vendim që po e shtyn prej kohësh.
  2. Shkruaj 3 arsye “logjike”që truri të jep për të mos vepruar.
  3. Për secilën, përgjigju me një fjali që fillon me:

“E kuptoj që po më mbron, por…”

Ky është momenti ku arsyetimi shndërrohet në vetëdije.

 

Pyetja e javës

“Çfarë do të bëje nëse do e dije me siguri që nuk do të dështoje?”

Në mbyllje dua të të them që truri yt nuk është armiku yt.
Ai është një aleat që ka nevojë të mësojë një mënyrë të re për të të mbrojtur.
Jo duke të ndaluar, por duke të besuar. 🤍

Me shpresën që ky shkrim të ketë ndalur zhurmën për disa çaste,

Fleura Shkëmbi
Psikologe Klinike, Coach & Hipnoterapiste
Autore e “Gjurmët e Padukshme të Frikës: Rruga për të Fituar mbi Ankthin”

Shporta0
Nuk ka produkte në shportë
Mbyll Shportën
0