Kemi lënë takim me një mik ose me një të afërm dhe duam të kalojmë bashkë disa momente të bukura dhe qetësuese në praninë e njëri-tjetrit. Takohemi, por megjithatë shumicën e kohës e kalojmë duke kontrolluar në face book apo instagram se çfarë po ndodh përreth, duke u përqëndruar totalisht aty, i bëjmë edhe nga një foto asaj çka jemi duke bërë apo edhe mund të bëjmë njoftime për vendodhjen tonë. Pra jemi vetëm fizikisht aty, por jo mendërisht, emocionalisht dhe shpirtërisht.
Çfarë na ka shtyrë të dalim nëse nuk jemi aty?! Frika që të mos rrimë vetëm apo impulsi se duhet të jemi bashkë me të tjerët dhe të mos harrohemi nga bota?!
Mirëpo, mund të ndodh edhe ndryshe: ulesh me njerëz, të cilët fillojnë dhe flasin vetëm për vete, vazhdojnë pafund, saqë ti lodhesh dhe humbet durimin. Nëse nuk do të dëgjosh më dhe merr guximin t’i thuash, ti automatikisht konsiderohesh si egoist.
Vjen nga puna i lodhur dhe i stresuar aq shumë, saqë nuk dëshiron të të flasi askush, madie as i/e dashura apo partneri dhe fëmijët. Kjo ndodh ndoshta nga ajo që ata kanë kërkesat e tyre, ndërsa ti dëshiron vetëm pak qetësi me veten.
Një djalë apo vajzë e re, më tregoi për eksperiencën e vet të lidhjes në rrjetet sociale. Kishte kohë që i kontrollonte profilet dhe pasi kishte folur për një periudhë të caktuar, vendosi të dilte për t’u takuar. Pas takimit, gjithçka përfundoi aty. Në këtë rast, qëllimi i vetëm ishte që të pihej një kafe me njerëz. E kishte mbytur vetmia.
Një i/e rritur në moshë tregon se, pasi fëmijët ishin rritur dhe ishin duke ecur në rrugëtimin e jetës së tyre, ai/ajo qëndronte në shtëpi dhe ndihej vetëm, ku papritur i fillon një ndjenjë frike, një ndjenjë boshllëku a një ndjenjë trishtimi që e shtrydhte fort përbrënda, saqë filloi të ndihej e sëmurë. Pa dyshim që fëmijët do të vijnë më shpesh, nëse ai/ajo nuk ndihet mirë, e kështu historia vazhdon pa marr fund.
I dasuri/e dashura ka dëshirë të iki diku me shokët dhe shoqet e veta, por ti nuk mund të jesh pjesë e atij udhëtimi, menjëhere ndihesh keq dhe krejt papritur te ty fillojnë dyshimet se pse të la vetëm dhe se është duke kaluar edhe bukur pa “ty”.
Ti shikon shokun apo shoqen tënde që shpesh këto kohët e fundit nuk po shoqërohet më ty dhe ka filluar të të “zvendësojë” me dikë apo disa të tjerë dhe ti papritur fillon të ndihesh keq, ndoshta mund të fillosh edhe të reagosh, pa e shpjeguar përsenë.
Janë jo të pakëta rastet kur flasim duke u përlotur se sa keq ndihemi kur na ka përjashtuar grupi dhe se nuk dimë se si të veprojmë për t’u bërë sërish pjesë e një përkatësie.
Të gjitha këto e shumë situata të tjera tregojnë realisht për një uri emocionale. Ne kemi filluar të harrojmë se çfarë është dashuria e vërtetë për veten dhe për të tjerët, kemi harruar të kujtojmë se ato që mbahen mënd në kujtesë, janë ndiesitë që na ka tejçuar dikush në momente të caktuara. Ne, duket se kemi filluar të harrojmë se qënia njerëzore ka tre dimensione e veta: trup-mendje-shpirt!!
Kemi filluar të përdorim trupin duke lënë mënjanë emocionet, ndërsa shpirtin mundohemi ta zhysim diku thellë që të mos na kujtoj se ai egziston.
Mund t’i fshehim me vetëdije, por nuk mund t’ia shprehim të pavetëdijshmes, e cila ka të brendësuar gjithë përvojat tona dhe në çdo moment na i kujton dhe rikujton. E pavetëdijshmja fillon dhe reagon nëse ne nuk po marrim “masat” e duhura. Menjëherë fillojnë reagimet që janë të ndryshme te çdo individ, por emocionet janë universale te të gjitha kombet dhe te të gjitha rracat! Pra, të gjithë
- lindim,
- qajmë,
- qeshim,
- trishtohemi,
- habitemi dhe
- largohemi njëlloj nga kjo botë (nga ky dimension).
Mirëpo, sa kohë harxhojmë që të merremi me veten dhe me shpirtin?! Sa kohë iu japim emocioneve tona që t’i kuptojmë dhe t’i përjetojmë deri në fund?! A mos ndoshta kemi frikë se po të jemi në kontakt me to nuk do ndihemi aq mirë dhe kështu fillojmë t’i largohemi me anë të teknologjisë apo duke u mbajtur fort te partneri apo partnerja, te shoku dhe shoqja, se kemi frikë të rrimë vetëm?!
Uria emocionale ka mëyrat e veta për t’u shuar e një prej tyre është, të investojmë te përmbushja e mendjes dhe shpirtit dhe te resektimi i trupit.
Një njeri që është i përmbushur dhe ndihet mirë me veten e ka më të lehtë të qëndroj vetëm ose t’i përjetojë emcionet e veta duke u ndjerë i vlefshëm dhe duke i bërë të tjerët të lumtur.
Lumturia është një emocion që gjendet kudo, në çdo moment dhe te çdo njeri. Nëse kemi vendosur të jemi të tillë, le ta fillojmë nga vetja që ta pranomë dhe ta duam ashtu siç jemi, t’i duam të tjerët edhe kur ata nuk janë perfekt, por aman kanë një shpirt të pastër!