Imagjino këtë skenë: është ora 6 e mëngjesit, zgjohesh nga alarmi dhe e di që duhet të ngrihesh dhe të shkosh në palestër. Por në këtë moment, shtrati yt duket si vendi më i rehatshëm në Tokë.

Truri fillon të negociojë:

“Edhe pesë minuta.”

“Do shkoj nesër më mirë.”

“Sot sikur jam zgjuar i/e lodhur.”

Të duket e njohur?

Kjo nuk do të thotë që të mungon vullneti apo je dembel/e.

Truri thjesht bën atë për të cilën është zhvilluar: të shmangë shqetësimin dhe të kursejë energji.

 

Pse truri krijon rezistencë?

Përpara se të dish zgjidhjen, është mirë të kuptosh se pse ndodh ky fenomen. Truri krijon rezistencë në dy mënyra të parashikueshme dhe njohja e këtyre modeleve është hapi i parë për t’i mposhtur ato.

Lloji i Rezistencës 1: Reagimi Emocional

Truri nuk po i gjykon detyrat në mënyrë logjike. Po i gjykon ato emocionalisht.

Thelbi është ky: Sa më e madhe të duket një detyrë, aq më e fortë është rezistenca emocionale që krijon truri.

Shembuj:

  • “Më duhet të pastroj të gjithë shtëpinë”→ rezistencë e madhe
  • “Do të laj vetëm një pjatë”→ e menaxhueshme
  • “Më duhet të studioj për tetë orë”→ duket e frikshme
  • “Do të rishikoj vetëm faqen e përmbledhjes”→ duket e realizueshme
  • “Më duhet të humbas 30 kg”→ e pamundur
  • “Do të bëj pesë pompa”→ e arritshme

Truri bën vazhdimisht matematikë të shpejtë dhe të pavetëdijshme.

Detyrë e madhe = emocione të mëdha.
Detyrë e vogël = emocione të vogla.

 

Lloji i Rezistencës 2: Mbrojtja e Egos

Lloji i dytë i rezistencës vjen nga imazhi yt për veten, historia që i tregon vetes për personin që je.

Prioriteti kryesor i trurit? Të mbrojë atë histori me çdo kusht.

Si shfaqet kjo:

  • Nëse beson “Jam i zgjuar”→ shmang çdo gjë ku mund të dukesh i konfuzuar
  • Nëse beson “Nuk jam i mirë në matematikë”→ ndjen rezistencë edhe pa e hapur librin e matematikës
  • Nëse beson “Jam perfeksionist”→ fillimi bëhet i frikshëm sepse përpjekja e parë nuk do të jetë e përsosur

Me fjalë të tjera: Rezistenca nuk ka të bëjë me detyrën – ka të bëjë me mbrojtjen e egos tënde.

 

Çfarë Vjen Më Pas?

Tani që e kupton se pse truri krijon rezistencë, pyetja më e rëndësishme është: çfarë mund të bëjmë?

Në shkrimin e radhës, do të ndaj me ty katër strategji të mbështetura nga shkenca që vërtet funksionojnë. Janë teknika konkrete bazuar në kërkime neuroshkencore që mund t’i aplikosh menjëherë.

Nëse nuk ke bërë akoma subscribe, shtyp butonin e mëposhtëm që të mos e humbasësh shkrimin e radhës!

 

Një Gjë të Fundit…

Rezistenca nuk është një problem, është thjesht sistemi i alarmit të trurit. Ajo nuk tejkalohet duke qenë “më të fortë”, por mund të tejkalohet duke qenë “më të zgjuar”.

Truri do vazhdojë të krijojë rezistencë. Por nëse do i japësh rëndësi dhe pushtet e vendos Ti!

Fleura Shkëmbi
Psikologe Klinike, Coach & Hipnoterapiste
Autore e “Gjurmët e Padukshme të Frikës: Rruga për të Fituar mbi Ankthin”

Shporta0
Nuk ka produkte në shportë
Mbyll Shportën
0