Çdo njeri gënjen, e si rrjedhojë çdo njeri gënjehet. Njerëzit gënjejnë të paktën 12 herë në ditë, duke filluar nga gënjeshtrat e vogla e të bardha e deri tek gënjeshtrat e mëdha dhe serioze. Por kush gënjen më shumë?
Meshkujt apo femrat ?
Sa i përket numrave, duket që meshkujt dhe femrat gënjejnë pothuajse në të njëjtën masë. Megjithatë ekzistojnë disa dallime sa i përket llojit të gënjeshtrave.
- Meshkujt kanë prirjen të gënjejnë për t’u dukur më të fuqishëm, më interesantë apo më të suksesshëm se ç’janë në të vërtetë. Ata kanë tendencën të gënjejnë në lidhje me veten e tyre 8 herë më shumë, se sa gënjejnë në lidhje me dikë tjetër.
- Femrat gënjejnë më shpesh për të mbrojtur ndjenjat e të tjerëve apo për t’i bërë të tjerët të ndihen më mirë me veten e tyre.
- Shumë kërkime shkencore tregojnë që femrat vihen më shumë në siklet kur gënjejnë në krahasim me meshkujt. Kur kanë thënë gënjeshtra serioze, femrat raportuan më shumë ndjenja faji, ankthi dhe frike, se sa meshkujt.
- Disa studime tregojnë që pas një farë kohe njohjeje, femrat janë më të afta t’i dallojnë gënjeshtrat tek shoqet e tyre femra, se sa meshkujt tek shokët e tyre meshkuj.
- Personat që gënjejnë më pak, rezulton të kenë marrëdhënie më të mira të të njëjtit seks, si dhe shënojnë më shumë pikë në testet psikologjike që masin nivelin e përgjegjësisë.
Çiftet e martuara apo të pamartuara?
- Sipas një studimi, 85% e çifteve të moshës së universitetit, kanë gënjyer partnerin/partneren për lidhjet e mëparshme apo pakujdesi momentale.
- Sa i përket çifteve të martuara, studimet tregojnë që njerëzit gënjejnë 1 herë në 10 ndërveprime me bashkëshortin/bashkëshorten. Ndërsa për çiftet e pamartuara, rezulton që gënjejnë 1 herë në 3 ndërveprime. (Megjithatë, edhe pse njerëzit kanë prirjen të jenë më të sinqertë me bashkëshortët, gënjeshtrat pas martese duket të jenë disi më të forta.)
Ekstrovertët apo introvertët?
- Personat ekstrovertë, e më të shoqërueshëm, gënjejnë më shpesh se sa introvertët që janë në një farë mënyre më të tërhequr nga shoqëria.
- Ekstrovertët ndihen më komodë kur gënjejnë dhe i vazhdojnë gënjeshtrat e tyre më gjatë, në krahasim me introvertët.
- Njerëzit që gënjejnë në mënyrë të vazhdueshme janë tej mase të shqetësuar për përshtypjen që lënë tek të tjerët.
Burimi : “Liespotting; Proven techniques to detect deception” nga Pamela Meyer