Nëse je përballë kësaj pyetjeje, për një moment je në dilemë:  Etika është diçka që shoqëria mendon se është e drejtë  të veprohet në këtë mënyrë, ndësa te morali je ti që beson nëse kjo gjë është e drejtë ose jo! Të besosh në atë që të tjerët mendojnë apo të besosh te vetja?!

Etika drejtohet nga ligje të caktuara në vende dhe kohë të ndryshme, ndërsa morali paraqet normat kulturore të shoqërisë. Kur diskutonim me studentët për moralin, dikush u përgjigj se sot po të jesh i moralshëm dukesh si demode, si  modë e vjetëruar!

Realisht po ndodh që në ditët e sotme shpesh vendosim etikën përpara moralit! Tek e fundit, rregullat e etikës është vështirë t’i thyesh, ndërsa për moralin nuk ke një gjykim të “përcaktuar”.

Teksa dëgjojmë fjalën “moral” fillojmë të tërhiqemi dhe të ndihemi të pambrojtur sepse ekziston mundësia që çdokush mundet të të gjykojë për veprimin apo sjelljen që ti ke bërë, ndërsa po veprove sipas etikës, ti je i fshehur pas saj dhe të tjerët nuk e kanë atë të drejtë të të flasin ashpër apo të gjykojnë sepse ti ke vepruar sipas diçkaje që është e shkruar dhe e vendosur nga të tjerët, pra ti je brenda rregullave. Mirëpo po të filljojmë të flasim për moralin, ty përsëri të duhet  të mësosh veten. Sa shpesh na ndodh që të nervozohemi nga dikush dhe pastaj menjëherë kalojmë në mbrojtje duke thënë: Ti po më bën moral ?! Po ti vet, si do kishe vepruar po të ishe në vendin tim?!

Nuk janë të pakët njerëz që janë të ndjeshem ndaj moralit dhe shpesh jetën e tyre e varin prej tij ! Po, çfarë është morali?! Le të diskutojmë pak termin “moral” që mund të jetë i ndryshëm për njerëz dhe kultura të ndryshme. Si do të vepronim nëse në takimin me psikologun vjen dikush, i cili do të flasi për gjendjen e tij emocionale sepse ka vrarë dikë? Do ta dëgjonim në bazë të etikës profesionale apo do të diskutonim se sa moral ka ky njeri, i cili vret dhe me qetësinë më të madhe flet dhe tregon gjithçka që ka bërë?! Po mjeku, do të kryente detyrën  e tij dhe do të ndihmonte dike, të cilin e kanë plagosur në kohën ku ky ishte duke kryer një masakër?!

Sa e moralshme është për doktorin psikiatër, i cili është në dilemë të madhe se çfarë duhet të bëjë më pacienten që është shtruar sepse ka kryer suicide dhe për festën e Krishtlindjes ajo do të shkojë ta festojë me familjen? Si duhet të sillet kur ajo i lutet për lejë; ta lejojë të shkojë atë ditë apo duhet të ruajë etikën profesionale sepse ajo mundet ta bëjë sërish këtë veprim dhe “barra” bie mbi doktorin i cili nuk duhet t’i kishte dhënë lejë ?!

Me dilema të tilla do të na duhet të përballemi çdo ditë edhe pse jo kaq ekstreme! Ajo që mua s’më bën më përshtypje është se të rinjtë janë më të prirur ndaj pjesës së moralshme, përsa i përket ndihmës që mund t’i dhurohet qënies njerëzore, altruizmit dhe asaj që është me prekse përsa i përket ndjenjave njerëzore. Sapo përmend fjalën “moral” menjëherë në mendje ju shkon “tradhëtia”, duke e cilësuar lehtësishtë atë si pjesë të jetës. Kjo fjalë duket se ju përket prindërve të tyre, të cilët qëndruan gjatë gjithë jetës me të njëjtin partner, ishin të ndërgjegjshëm, nuk bënin hile miqve dhe shokëve të afërt, ndërsa sot është ndryshe, sot e kanë më të lehtë të fshihen ndaj asaj që është e lejueshme nga shoqëria. Mund të ndodh edhe  e kundërta që të rinjtë, të cilët janë rritur në familje tradicionale të vazhdojnë ta ruajnë moralin e familjes dhe të sakrifikojnë për këtë gjë deri në vetmohim. Jo pak herë  ka ndodhur që ndjenjat e fajit i kanë mbytur deri në atë pikë, sa që në mënyrë të dhimbshme e kanë shtypur veten duke vuajtur gjatë gjithë kohës.

A mund ta quanim të moralshme faktin që një prej partnerëve të qëndrojë me tjetrin vetëm se kanë fëmijë, e ndërkohë nga ana tjetër marrëdhënia ka arritur deri në pikën e urrejtjes?! Përgjigja e dhënë nga të rinjtë është që secili të vazhdojë jetën e vet, ndërsa ata që janë familjarë hedhin hiptoezën se cdokush ia vlen të sakrifikojë për fëmijët! Ana tjetër vazhdon me idenë se çdo njeri ka vetëm një jetë, pala kundërshtare vazhdon me faktin se në martesë dhe në familje duhet bërë kompromise për një qëllim më të madh!

Për ta përmbyllur dua të shtoj edhe diçka lidhur me fenë, aty ku është e përcaktuar se çfarë është e moralshme dhe çfarë jo. Nëse ti je praktikant dhe fillon të gjykosh ata të cilët nuk janë, atëherë ku është etika se ti duhet të respektosh të drejtat dhe moralin e tjetrit. Është një fushë që i përket një trajtimi më të gjërë, por  mos të harrojmë se askush nuk e ka të drejtën që në bazë të gjykimit të vet të bëjë të moralshmin dhe të ndikojë te të tjerët!

Shporta0
Nuk ka produkte në shportë
Mbyll Shportën
0