Është një lloj lodhjeje, që nuk vjen nga puna, as nga gjumi i pakët, as nga ritmi i shpejtë i ditës. Është lodhja e personit që përpiqet vazhdimisht ta mbajë veten “në formë” — jo trupin domosdoshmërisht, por versionin e vetes që tregon te të tjerët. Buzëqeshjen e duhur në kohën e duhur. Një përgjigje të menduar. Një qëndrim të qetë edhe kur brenda është në kaos. Produktivitetin e pandërprerë. Rritjen e vazhdueshme. Ky version i “vetes më të mirë” na është shitur shpeshherë si qëllimi përfundimtar; në libra, në rrjete, në kulturën e vetë-përmirësimit. Por pak flitet për çfarë humbet dikush kur e bën këtë përpjekje mënyrën e vet të jetesës.
Kultura e optimizimit të pandërprerë
Sociologia Eva Illouz, e cila ka studiuar gjerësisht mënyrën si kapitalizmi emocional ka transformuar jetën tonë të brendshme, argumenton se bota moderne e ka kthyer vetveten në një lloj “projekti” të përhershëm; diçka që duhet matur, optimizuar, përmirësuar pareshtur, ashtu si një produkt në zhvillim të vazhdueshëm. Nën këtë logjikë, çdo emocion “i papërpunuar” — zemërimi, lodhja, mërzia, xhelozia — trajtohet si defekt që duhet korrigjuar, jo si pjesë e vlefshme e përvojës njerëzore.
Kur jetojmë nën këtë presion, secili moment i ditës kthehet në një test të heshtur: A po e menaxhoj veten mirë? A po dukem mjaftueshëm e qetë, mjaftueshëm pozitive? Ky vëzhgim i vazhdueshëm ndaj vetes ka një çmim dhe çmimi i parë që paguajmë është spontaniteti.
Humbja e parë: hapësira për t’u ndjerë ashtu siç je
Psikologia Brené Brown, në punën e saj mbi cenueshmërinë (vulnerability), ka treguar diçka që duket paradoksale: lidhjet më të thella njerëzore nuk ndërtohen kur tregojmë versionin tonë më të mirë, por kur guxojmë të shfaqim pasigurinë, gabimet, momentet e vështira. Kur jetojmë me synimin e vazhdueshëm për të qenë “versioni më i mirë”, fshehim pikërisht ato pjesë të vetes që do të na afronin më shumë me të tjerët, sepse na duket se dobësia është diçka që duhet korrigjuar para se ta tregojmë, jo diçka që mund të ndahet ashtu siç është.
Kështu, marrëdhëniet fillojnë të ndërtohen mbi imazhin, jo mbi personin.
Humbja e dytë: e drejta për të gabuar
Psikologia Kristin Neff, pioniere e studimeve mbi vetë-dhembshurinë (self-compassion), ka vënë re diçka thelbësore: njerëzit që e trajtojnë vetveten me kërkesa të larta e pa mëshirë priren më shumë drejt ankthit dhe depresionit sesa ata që praktikojnë vetë-dhembshuri — pavarësisht se performanca e tyre reale mund të jetë e ngjashme, apo edhe më e mirë. Perfeksionizmi është një sistem i brendshëm ku vetëvlerësimi bëhet i kushtëzuar nga arritja e pandërprerë. Kur ky sistem instalohet, çdo gabim nuk trajtohet më si pjesë natyrale e të mësuarit, por si dëshmi e një mangësie.
Kështu, humbasim diçka të çmuar: aftësinë për të eksperimentuar, për të provuar diçka të re pa e ditur paraprakisht rezultatin
Humbja e tretë: lidhja me vetveten reale
Ndoshta humbja më e thellë është kjo: kur investojmë gjithë energjinë tonë në ndërtimin e një versioni “të përmirësuar” të vetes, mund të humbasim kontaktin me atë që jemi vërtet, jo idealin, por personin e gjallë, me kontradiktat, historinë, dhe kompleksitetin e tij. Psikologu Carl Rogers, një nga themeluesit e psikologjisë humaniste, e vendoste në qendër të teorisë së tij konceptin e “pranimit pozitiv të pakushtëzuar” — idenë se rritja e vërtetë psikologjike ndodh jo kur dikush përpiqet të bëhet dikush tjetër, por kur i lejohet, të jetë ai që është, pa kushte të vendosura paraprakisht.
Kur jetojmë të fiksuar pas “versionit më të mirë”, e trajtojmë vetveten aktuale si diçka të përkohshme, si një skicë që pret të bëhet vepër e përfunduar.
Çfarë mbetet, kur heqim presionin?
Kjo nuk është një thirrje kundër rritjes apo përmirësimit. Ndryshimi dhe zhvillimi personal janë pjesë e natyrshme dhe plotësisht e vlefshme e jetës. Dhe patjetër që këshilloj të gjithë të investojnë te vetja sepse është i vetmi investim që nuk humbet kurrë. Dhe po ashtu, patjetër që rritja personale ka qenë dhe vazhdon të jetë qëllim edhe i imi personal. Ajo që dua të vë në dukje përmes këtij shkrimi, qëndron tek balanca.
Nuk është pyetja nëse duhet apo jo të investojmë tek rritja personale. Por është mirë ta pyesim veten, pse po investojmë? Nga dashuria për veten apo nga frika se ashtu siç jemi, nuk jemi mjaftueshëm?
Fleura Shkëmbi
Psikologe Klinike, Coach & Hipnoterapiste
Autore e “Gjurmët e Padukshme të Frikës: Rruga për të Fituar mbi Ankthin” & Kartat “Veç Fol”
