Ka momente kur ndihemi të rënduar pa ndonjë arsye të qartë. Ka ditë kur buzëqeshim pa e ditur saktësisht pse. Ka çaste kur lotët rrëshqasin pa marrë leje. Dhe në këto momente, instinkti ynë i parë është gjithmonë i njëjtë: të kuptojmë.
Pse ndihem kështu? Nga më erdhi kjo gjendje? Pse jam kaq në qejf sot?
Por a duhet gjithmonë të tentojmë të gjejmë arsyet? A është Pse-ja gjithmonë e nevojshme?
Tirania e kuptimit
Kam vënë re që është krijuar perceptimi që çdo gjë duhet shpjeguar, analizuar, dekonstruktuar. Nëse ndihesh i trishtuar, duhet të gjesh shkakun. Nëse ndihesh i lumtur, duhet të identifikosh burimet e kësaj lumturie që t’i riprodhosh.
Kemi bërë nga vetja një laborator psikologjik të vazhdueshëm, ku çdo ndjenjë është një eksperiment që kërkon hipotezë, testim dhe përfundime.
Por çfarë humbasim në këtë kërkim të pafundëm për kuptim?
Ndjenjat nuk janë probleme për t’u zgjidhur
Ndonjëherë ato janë thjesht valë që kalojnë.
Imagjino detin. Valët vijnë, valët shkojnë. Nuk e pyesin veten se pse lëvizin. Nuk ndalojnë për të analizuar trajektoren e tyre. Ato thjesht janë.
E njëjta gjë vlen për ndjenjat tona. Ato vijnë si rezultat i një përzierje komplekse të biologjisë, kujtesës, mjedisit, hormoneve, ditës së javës, mënyrës se si kemi fjetur, një tingull i largët që na kujtoi diçka që kemi harruar. Ndonjëherë rrjedha e tyre është aq e ndërlikuar saqë përpjekja për ta kuptuar është si të synosh të numërosh pikat e shiut.
Paradoksi i analizës
Kur ndihesh i qetë dhe mendon “Pse ndihem kaq i qetë? Sa do të zgjasë?”, qetësia fillon të zbehet. Kur ndihesh i shqetësuar dhe fillon të hulumtosh çdo aspekt të shqetësimit tënd, ai mund të rritet.
Analiza ka vendin e saj, pa dyshim. Por kur bëhet refleksi ynë i parë për çdo gjë që ndiejmë, shndërrohemi në spektatorë të jetës sonë emocionale në vend që të jemi pjesëmarrës.
Urtësia e pranimit
Ka një urtësi të thellë në thjeshtësinë e të pranuarit. Jo në kuptimin e dorëzimit apo pasivitetit, por në kuptimin e lejimit.
Le ta ndjej këtë trishtim pa u përpjekur ta shpjegoj.
Le të qëndroj me këtë pasiguri pa u detyruar ta zgjidh menjëherë.
Le të shijoj këtë gëzim pa pasur nevojë ta justifikoj ose ta bëj të përhershëm.
Kjo nuk do të thotë se nuk duhet të kujdesemi për shëndetin tonë mendor. Nuk do të thotë se nuk duhet të kërkojmë kuptim kur diçka na shkakton dhimbje të vazhdueshme. Por do të thotë se jo çdo ndjenjë është alarm emergjence.
Ndonjëherë, emocionet janë thjesht vizitorë të përkohshëm.
Çfarë ndodh kur i lejojmë ndjenjat të jenë pa pasur nevojë t’i kuptojmë të gjitha?
Ndodh diçka e çuditshme: ato fillojnë të lëvizin.
Një trishtim që nuk e kundërshtojmë me pyetje dhe analizë, lehtësohet më shpejt sesa një trishtim që e luftojmë. Një gëzim që nuk e mbingarkojmë me kërkesat për ta kuptuar origjinën dhe për ta zgjatur përgjithmonë, ndihet më autentik në momentin e tij.
Përfundim
Jo çdo ndjenjë ka nevojë për kuptim. Disa thjesht kanë nevojë për hapësirë. Hapësirë për të ardhur, për të qëndruar sa kohë që u nevojitet, dhe për t’u larguar kur janë gati.
Ndoshta mësimet më të thella nuk vijnë kur e kuptojmë çdo gjë, por kur mësojmë të qëndrojmë me atë që nuk e kuptojmë. Kur mësojmë se të qenit njeri nuk do të thotë të kesh përgjigje për çdo pyetje, por të kesh guximin për të jetuar pyetjet, për të ndjerë pa ditur, për të qënë pa shpjeguar.
Fleura Shkëmbi
Psikologe Klinike, Coach & Hipnoterapiste
Autore e “Gjurmët e Padukshme të Frikës: Rruga për të Fituar mbi Ankthin”
