Çfarë e shtyu një djalë të ri, të pashëm dhe të shkolluar që e bëri jetën e vet të kthehet në një murg budist?!
Ai gjithmonë është i qetë dhe i buzëqeshur. Ti i bën pyetje dhe ai, Monk Pastura nuk heziton të përgjigjet. Ti lë takim dhe ai është 10 minuta përpara duke të të pritur, i kërkon intervistë dhe përgjigja është “po”, i kërkon fotografi, por nëse je femër ke një problem të vogël, të duhet me patjetër një mashkull në mes teje dhe murgut.
Monk Pastura është një djalë tajlandez, i cili së bashku me një prej shokëve të vet shkojnë dhe udhëtojnë në çdo cep të botës me qëllimin e vetëm; të qetësojnë shpirtrat njerëzor përmes meditimit!
Erdhi në Shqipëri për herë të parë, mirëpo erdhi me fatin që këtu nuk ka qënë një i tillë më parë (të paktën nga aq sa dihet) KËSHTU QË PËGJEGJËSIA ISHTE AKOMA MË E MADHE. Shkoi kudo ku e kërkuan në Tiranë, Durrës dhe Elbasan dhe u ndje mirë nga çdo mirëpritje që iu bë.
Jeta për atë është e thjeshtë, ndërsa për ne është kurjozitet. Ngrihet çdo ditë në orën 4:30 të mëngjesit dhe në orën pesë fillon meditimin. E ha mëngjesin, gjithmonë në të njëjtin orar deri në orën tetë dhe më pas drekën çdo ditë deri në orën një, të cilën duhet ta kishte mbaruar së ngrëni. Ulet në një tavolinë i vetëm, pasi i serviret ushqimi, mbyll sytë dhe mediton për disa minuta dhe përpara se të fillojë, ndan çdo ushqim që është i tepërt me ata që e shoqërojnë. E ndërsa për ne kjo mund të jetë bezdisje që duhet të shqetësohemi kaq shumë që ai të hajë në të njëjtin orar, por për Pasturën është disiplinë e trupit, shpirtit dhe mëndjes sepse ai është në shërbim të njerëzimit.
Edhe pse dita vazhdon me të gjitha impenjimet e tjera, për meditimin gjendet gjithmonë kohë sepse pastrimi shpirtëror dhe lartësimi i vetes bëhet çdo ditë dhe është proçes në vazhdim.
Nëse i bën pyetjen se si do të ishte bota nëse do të ishim të gjithë monk budit, përgjigja është shumë e paqtë: – Ju keni një koncept të gabuar për monkët, – shprehet ai, – pasi mendoni se ne nuk punojmë, por përkundrazi jemi gjithmonë diku duke punuar, madie pa pritur shpërblim për punën që bëjmë.
Ndryshe nga ne, ai nuk ka lekë nëpër duar, gjithçka e ka të organizuar në mënyrë perfekte dhe i vetmi shqetësim i tij është: të përhapi qetësi kudo që të shkojë.
Nuk ka problem për atë, nëse ti je myslyman, i krishterë, budist, pagan apo ateist. Sipas tij të gjithë mund të meditojnë për t’u lidhur me veten dhe të ndalojnë për një moment, të marrin frymë dhe të qetësohen.
Shtrati i tij është prej druri, po ashtu edhe jastiku, ndërsa veshja është e njëjtë, e cila ndërrohet çdo ditë dhe ka ngjyrë portokalli të ndezur, por mund të jetë edhe kafe deri në të kuqërremtë. Kjo sepse është ngjyrë e ndezur dhe ju ka shërbyer gjithmonë si mbrojtje nga kafshët në pyll.
Një nga pyetjet e përhershme ishte: -A martoheni ju? Përgjigja e tij ishte shumë e qetë dhe e qartë: -JO. Këtë e kishte vendosur me vullnetin e tij të lirë sepse diku rreth moshës 29-vjecare ku shumica e djemëve hyjnë në Manastir për pak ditë deri në tre muaj, me qëllimin e vetëm që të përgatiten për të qënë më të mirë përpara se të martohen. Në atë kohë ai tregoi se kishte patur një jetë kaotike, me shumë zhurmë (punonte dixhej )edhe pse punonte fort sërish nuk ishte i lumtur, madie në jetë kishte patur problematika me të dashurat e veta ashtu si çdo njeri . Atje, ditët e para ishin të parehatshme, gati të mërzitshme, derisa filloi ngadalë të qetësohej dhe të clirohej nga streset e jetës së përditshme. Kur kishte shkuar në një burg në Brazil, ata e kishin pyetur se çfarë bënte dhe kur kishin dëgjuar për jetën e tij, ishin shprehur se edhe ai ishte i burgosur si ata. Ndërsa buzëqesh, ai iu përgjigjet se liria fillon dhe mbaron brenda vetes, ku ti mund të jesh edhe në burg e prapë të jesh i lirë dhe anasjelltas.
-Po pjesa biologjike? -guxova unë si me marifet ta pyesja . -Mendja është ajo që drejton dhe komandon gjithçka, -më tha, megjithatë unë përsëri nuk jam shumë e bindur në këtë pikë, ndoshta do të më duhet edhe pak kohë që ta kuptoj.
Jetesa e tij është shumë e thjeshtë e me kuptim, madie buzëqeshte kur secili nga ne i bënte pyetje se si t’i menaxhojmë ankthet e jetës së përditshme. -Për aq orë sa ti mediton, -i thotë dikush, -unë kam ditën e punës! -Po edhe unë punë e kam,- përgjigjet ai, -por di se si të jetoj në të tashmen dhe të mos shqetësohem për të ardhmen.
Isha aty duke medituar me një grup mësuesish në një ambjent jashtë ku frynte pak erë. Teksa ishim të gjithë me sytë të mbyllur dhe meditonim, papritur u dëgjua përplasja e një mbajtëse kartoni, e cila ishte sipër kokës së tij. Hapa sytë të “kontrolloja situatën”, por pashë monkun që vazhdonte më qetësinë e tij , me sytë të mbyllur dhe me njerëzit përreth që ishin trembur se çfarë po ndodhte. I mbylla sytë e vazhdova, mirëpo nuk ndenjta pa pyetur, se si ai nuk lëvizi dhe nuk reagoi as me hapje të syve. Mirëpo, qetësia ishte pjesa që kishte arritur pas kaq shumë kohe në paqje me veten.