Si motivohen njerëzit?
Motivimi është ai që na shtyn të çohemi nga shtrati në mëngjes, të ndjekim karrierën apo edukimin që synojmë dhe na inspiron të kalojmë pengesat dhe sfidat me të cilat hasemi gjatë rrugës për të arritur synimet tona. Megjithatë, motivimi nuk është gjithmonë linear; ai mund të luhatet. Ndonjëherë ne mund të ndihemi shumë të motivuar për të arritur qëllimet tona, por në disa raste mund ta kemi të vështirë të gjejmë motivimin për të vepruar. Është e rëndësishme të kuptojmë burimin e motivimit tonë, në mënyrë që të zbulojmë sesi mund ta kultivojmë atë për të rritur shancet tona për arritje dhe sukses.
Motivimi i brendshëm dhe i jashtëm: Cili është ndryshimi?
Motivimi i brendshëm dhe i jashtëm i referohen nxitësve që na shtyjnë për të vepruar. Nëse bëjmë një sjellje që na pëlqen ta bëjmë, atëherë jemi të motivuar së brendshmi. Nëse bëjmë një sjellje sepse presim një shpërblim, atëherë sjellja jonë është e motivuar së jashtmi.
Motivimi i brendshëm
Motivimi është i brendshëm atëherë kur ne kryejmë një sjellje jo sepse presim një shpërblim nga jashtë, por sepse sjellja në vetvete është shpërblyese. Ky motivim lind nga vetë personi dhe ushqehet nga interesat, vlerat apo personaliteti i personit.
Disa nga karakteristikat kryesore të motivimit të brendshëm përfshijnë:
- Autonomia: Individët ndjejnë një sens autonomie dhe lirie zgjedhjeje në veprimet e tyre, dhe marrin pjesë në aktivitete që përputhen me vlerat, interesat, dhe preferencat personale.
- Kurioziteti dhe interesi: Individët janë të nxitur nga kurioziteti dhe interesi personal dhe e gjejnë veprimtarinë vërtet të kënaqshme dhe stimuluese.
- Kënaqësia e brendshme: Individët përfshihen në aktivitete sepse ndjejnë kënaqësi dhe përmbushje nga aktiviteti, pavarësisht benefiteve të jashtme.
- Angazhimi i qëndrueshëm: Individët janë më të prirur të vazhdojnë aktivitetin, pavarësisht sfidave dhe vështirësive me të cilat hasen, për shkak se kënaqësia e tyre vjen nga brenda tyre.
Motivimi i jashtëm
Motivimi është i jashtëm atëherë kur ne kryejmë një sjellje për shkak se dëshirojmë të marrim një shpërblim, ose të shmangim ndëshkimin. Ne përfshihemi në një sjellje jo sepse ajo na dhuron kënaqësi, por sepse presim të marrim diçka në këmbim. Ndryshe nga motivimi i brendshëm, i cili lind nga interesat dhe vlerat personale të individit, ai i jashtëm varet nga faktorë të cilët janë jashtë kontrollit të individit.
Disa nga karakteristikat kryesore të motivimit të jashtëm përfshijnë:
- Shpërblimet: Individët janë të motivuar nga nxitësit e jashtëm si paratë, komplimentat, notat, aprovimi social etj. Këto shpërblime shërbejnë si nxitës kryesorë të sjelljes së individit.
- Presioni ose detyrimi: Përpos shpërblimeve, individi mund të nxitet edhe nga faktorë të tjerë si detyrimet, arritja e afateve, arritja e pritshmërive të të tjerëve për ta, ose shmangia e ndëshkimeve dhe kritikave.
- Angazhimi afatshkurtër: Për shkak se motivimi është i varur nga shpërblime të jashtme, individët angazhohen në veprimtari për aq sa mund të fitojnë diçka prej saj.
- Varësinë nga faktorët e jashtëm: Nëse shpërblimet tërhiqen ose nuk perceptohen më si të dëshirueshme nga individi, motivimi për t’u përfshirë në veprimtari do të bjerë.
Cila është rëndësia e tyre?
Motivimi i brendshëm shpesh, asociohet me mirëqenie më të lartë psikologjike, kënaqësi më të lartë dhe përkushtim afatgjatë ndaj qëllimeve. Rëndësia e tij qëndron në:
– krijimin e një anagazhimi të qëndrueshëm;
– rritjen e kreativitetit;
– mirëqenie psikologjike më të lartë;
– autonomi, vendosmëri dhe liri zgjedhjeje.
Duke ushqyer interesat, vlerat dhe pasionet personale, individët mund të kultivojnë një ndjenjë të thellë qëllimi dhe përmbushjeje në jetën e tyre.
Ndonëse motivimi i jashtëm konsiderohet shpesh si më efektiv dhe ndihmues për përkushtimin afatgjatë për arritjen e qëllimeve, motivimi i jashtëm mund të shërbejë si një plotësues i mirë i tij. Kur përdoret mirë, motivimi i jashtëm mund t’i ndihmojë individët të arrijnë qëllimet e tyre dhe të përmbushin përgjegjësitë. Përdorimi efektiv i motivimit të jashtëm përfshin përputhjen e nxitësve të jashtëm me vlerat dhe qëllimet e brendshme, ofrimin e përforcimit pozitiv, dhe krijimin e një mjedisi mbështetës i cili nxit autonominë dhe motivimin e brendshëm krahas shpërblimeve të jashtme.
Rëndësia e tij qëndron në:
– dhënien e drejtimit për t’i shtyrë individët ndaj qëllimeve të caktuara;
– përmirësimin e performancës në veprimtaritë e kryera;
– inkurajimin për t’u rritur dhe zhvilluar;
– adresimin e nevojave bazë si ajo për siguri, të ardhura, status social.
Mënyra për të rritur motivimin e brendshëm
Shpesh, mund të jetë e vështirë që të ndihemi të motivuar pa pasur një shpërblim të jashtëm. Kjo është e natyrshme, pasi në momente të caktuara të jetës dhe në situata të caktuara, të gjithë mund të jemi më pak të motivuar së brendshmi për të arritur qëllimet. Nëse ndiheni se ndodheni në këtë situatë, ja disa teknika që mund të përdorni.
- Rikornizoni mentalitetin tuaj: Shihi qëllimet tuaja jo si detyrim, por si mundësi të reja.
- Imagjinoni suksesin tuaj: Në vend që të mendosh më të keqen, mendo se cila është gjëja më e mirë që mund të ndodhë.
- Merreni hap pas hapi: Roma nuk u ndërtua në një ditë! Ndaji qëllimet e tua në qëllime më të vogla në mënyrë që mos të duken kaq të vështira.
- Kujtoni arsyen: Çfarë të motivon? Kur ndihesh i pamotivuar, kujto arsyet se përse po e bën këtë gjë.
- Festo progresin: Jepi rëndësi arritjeve të tua, sado të vogla të duken ato.
- Praktiko dhembshurinë ndaj vetes: Tregohu mirëkuptues me veten, sidomos gjatë periudhave sfiduese apo të vështira. Trajtoje veten ashtu siç do të trajtoje një mik që ndodhet në të njëjtën situatë.
- Qëndro këmbëngulës dhe fleksibël: Kupto se motivimi i brendshëm nuk është gjithnjë linear, dhe se pengesat janë pjesë natyrale e rrugës për progres.
Ndonëse njëri lloj motivimi mund të duket më i mirë se tjetri, të dy luajnë një rol të rëndësishëm në sjelljen dhe veprimtarinë tonë, por ndryshimi qëndron në mënyrën sesi ndikojnë tek ne, në situatat që përdoren dhe në rezultatet e sjelljes tonë. Një qasje e balancuar që përfshin të dyja këto lloje motivimi, është qasja më efektive. Duke ushqyer interesat dhe pasionet e brendshme, ndërkohë që marrim gjithashtu mbështetje dhe shpërblim të jashtëm aty ku nevojitet, ne mund të maksimizojë motivimin tonë, dhe të rrisim gjasat për të arritur qëllimet dhe synimet personale.