Menaxhimi i perfeksionizmit: Si të kapërcejmë grackat e pritshmërive jorealiste

Të kanë quajtur ndonjëherë perfeksionist/e? Ose e ke quajtur ndonjëherë veten të tillë?

Duhet pranuar që është tunduese ta shohësh perfeksionizmin si një cilësi pozitive; tregon që i shohim gjërat me detaje dhe kryejmë një punë të mirë.

Perfeksionizmi është një tipar personaliteti që përfshin vendosjen e standardeve jashtëzakonisht të larta për veten dhe të tjerët dhe të qenit tepër kritik dhe i pakënaqur me rezultatet. Perfeksionizmi mund të motivohet nga dëshira për të arritur përsosmëri, për të shmangur dështimin ose për të fituar miratimin nga të tjerët. Ai mund të ndikohet gjithashtu nga faktorë kulturorë, socialë ose familjarë, si presioni, konkurrenca ose kritikat.

Perfeksionizmi nuk është domosdoshmërisht një gjë e keqe, pasi mund të na shtyjë të ndjekim qëllimet tona, të përmirësojmë aftësitë dhe të prodhojmë punë me cilësi të lartë. Megjithatë, kur perfeksionizmi bëhet i tepruar, rixhid ose i keqpërshtatur, ai mund të ketë pasoja negative për mirëqenien, performancën dhe marrëdhëniet tona.

 

Pse lind nevoja për ta menaxhuar perfeksionizmin?

  • Perfeksionizmi mund të shkaktojë stres dhe ankth. Kur vendosim pritshmëri jorealiste ose të paarritshme, përjetojmë shqetësim të vazhdueshëm, frikë ose nervozizëm për performancën, rezultatet ose reagimet tona. Ne gjithashtu mund të ndihemi të rraskapitur, të frustruar ose të pafuqishëm, kur hasim vështirësi apo pengesa. Perfeksionizmi gjithashtu mund të çojë në prokrastinim, shmangie ose paralizë, pasi ne mund të vonojmë ose të heqim dorë nga detyrat tona, për shkak të frikës se mos bëjmë gabime ose mos nuk përmbushim dot standardet tona.
  • Perfeksionizmi mund të dëmtojë shëndetin dhe lumturinë. Kur jemi të stresuar dhe të shqetësuar, ne neglizhojmë shëndetin tonë fizik dhe mendor, duke kompromentuar gjumin, dietën, stërvitjen ose relaksimin. Mund të vuajmë edhe nga simptoma fizike, si dhimbje koke, tension muskulor, lodhje ose pagjumësi, ose çrregullime të shëndetit mendor, si depresioni, çrregullimet e të ngrënit ose çrregullimi obsesiv-kompulsiv. Perfeksionizmi gjithashtu mund të zvogëlojë lumturinë dhe kënaqësinë tonë, pasi ne fokusohemi në aspektet negative të performancës, rezultateve ose reagimeve tona dhe shpërfillim ato pozitive.
  • Perfeksionizmi mund të pengojë të mësuarit dhe zhvillimin. Individët perfeksionistë zakonisht kanë një mentalitet të fiksuar, që është besimi se aftësitë dhe talentet tona janë të lindura dhe nuk mund të ndryshohen apo të përmirësohen. Gjithashtu ndodh që perfeksionistët mendojnë me “gjithçka ose asgjë”, që është tendenca për t’i parë gjërat bardh e zi ose në terma ekstremë, pa marrë parasysh nuancat ndërmjet. Kjo mënyrë e të menduarit mund të na pengojnë të mësojmë nga gabimet, dështimet ose reagimet tona dhe të përqafojmë sfida, mundësi dhe perspektiva të reja. Në të njëjtën kohë kufizon kreativitetin, inovacionin dhe eksperimentimin, pasi individi zgjedh t’i përmbahet metodave të njohura, të sigurta ose konvencionale dhe të shmangim marrjen e rreziqeve për gjëra të reja.

 

  • Perfeksionizmi mund të dëmtojë marrëdhëniet dhe aftësitë sociale.

Të qenit perfeksionist rrit mundësinë për të patur vështirësi në komunikim, në bashkëpunim ose në aftësinë për të bërë kompromis me të tjerët. Kjo sepse perfeksionistët janë shumë kërkues, kontrollues dhe kritikë, ndaj vetes dhe të tjerëve. Perfeksionistët po ashtu shpeshherë kanë vështirësi për të shpehur emocionet, nevojat, preferencat, për të kërkuar mbështetje apo ndihmë, pasi i frikësohen të qenit i refuzuar ose i gjykuar. Nga ana tjetër, duke i kushtuar shumë kohë dhe përparësi punës, ndodh që këta individë të izolohen nga të tjerët ose të harrojnë të argëtohen.

 

Çfarë mund të bësh?

  • Praktiko Mindfulness. Mindfulness është ndërgjegjësimi për momentin e tanishëm, pa e gjykuar atë. Mindfulness mund të ndihmojë në reduktimin e stresit dhe ankthit, duke ndihmuar në të njëjtën kohë në qetësimin e mendjes, trupit dhe emocioneve. Mindfulness mund të praktikohet përmes meditimit formal, ose përmes aktiviteteve joformale, të tilla si frymëmarrja mindful, ecja ose dëgjimi mindful.
  • Brendëso një mendësi rritjeje. Mendësia e rritjes është besimi se aftësitë dhe talentet tona mund të zhvillohen dhe përmirësohen, nëse përpiqemi për këtë. Ky mentalitet jo vetëm që rrit qetësinë tonë të brendshme, por edhe na lejon të pranojmë në paqe gabimet, dështimet ose reagimet tona, duke i parë më shumë si një mundësi për të mësuar dhe për t’u përmirësuar. Rrjedhimisht ne bëhemi më kreativë, më eksperimentues, ndërmarrim më shumë rreziqe dhe eksplorojmë mundësi të reja.
  • Vendos objektiva realiste dhe fleksible. Qëllimet realiste dhe fleksible janë qëllime specifike, të matshme, të arritshme, relevante dhe të kufizuara në kohë, por gjithashtu të adaptueshme, të rregullueshme dhe të modifikueshme, sipas rrethanave, kushteve ose nevojave në ndryshim. Qëllimet realiste dhe fleksible mund të na ndihmojnë të përmirësojmë performancën dhe produktivitetin, duke na ndihmuar të planifikojmë, organizojmë dhe ekzekutojmë detyrat tona, si dhe të monitorojmë dhe vlerësojmë progresin dhe rezultatet.
  • Kërko dhe prano ndihmë. Ndihma dhe mbështetja janë burime thelbësore që mundësohen nga familja, miqtë, kolegët, mentorët dhe profesionistët. Kjo ndihmë mund të përmirësojë shëndetin dhe lumturinë tënde të përgjithshme duke reduktuar stresin dhe ankthin, duke ofruar mbështetje emocionale gjatë sfidave dhe duke përmirësuar marrëdhëniet dhe aftësitë tuaja sociale.
Shporta0
Nuk ka produkte në shportë
Mbyll Shportën
0