Çfarë është aleksitimia?

Fjala aleksitimi i ka rrënjët nga greqishtja ku a= mungesë, lexis= fjalë dhe thymos= emocion, pra mungesë e fjalëve për emocionet. Personat aleksitimikë shfaqin vështirësi në identifikimin dhe shprehjen e emocioneve.

Studimet tregojnë që rreth 8% e meshkujve dhe 2% e femrave e përjetojnë aleksitiminë, por në nivele të ndryshme. Gjithashtu studimet tregojnë se aleksitimia ka dy dimensione- një dimension konjitiv, ku personi shfaq vështirësi në identifikimin, interpretimin dhe verbalizimin e emocioneve (pra, pjesa e të menduarit rreth emocioneve), dhe një dimension afektiv , ku vështirësitë shfaqen në reagimin ndaj situatave emocionale, shprehjen e emocioneve verbalisht dhe joverbalisht, të përjetuarit e emocioneve apo të imagjinuarit (pra, pjesa e përjetimit të eksperiencave emocionale).

Aleksitimia nuk konsiderohet si një çrregullim psikologjik, por si një tipar i personalitetit. Ajo lidhet ngushtë me disa nga çrregullimet psikologjike si depresioni, stresi post traumatik, ADHD,etj .

 

Të kesh aleksitimi do të thotë:
  1. Të kesh vështirësi për të identifikuar emocionet dhe shprehitë emocionale.
  2. Të kesh vështirësi në përshkrimin e ndjenjave të të tjerëve.
  3. Të kesh imagjinatë të limituar, pak ose fare fantazi dhe rrjedhimisht, ëndrra të limituara.
  4. Të kesh një mënyrë të menduari shumë konkrete.

 

Karakteristika apo sjellje të lidhura me aleksitiminë.

o   Stili i komunikimit

Stili i komunikimit të aleksitimikëve është shumë objektiv dhe i logjikshëm, me mungesë të theksuar të nëntoneve poetike. Ata kanë tendencën ta mbajnë bisedën të lidhur me faktorë të jashtëm si çmimet e produkteve ushqimore, moti, shtëpia, studimet e kështu me rradhë, duke u munduar që biseda të mos kalojë në çështje private që kërkojnë përfshirje emocionale.

o   Anhedonia dhe negativiteti

Individët me aleksitimi preferojnë t’i fillojnë përgjigjet e tyre me një “ Jo”. Prsh nëse bëhet pyetja “Sa e mirë koha sot. A dalim për një shëtitje?” , do të ishte e zakonshme që përgjigja të ishte negative: “Jo.  .. Epo nuk jam i sigurt. A nuk mendon që do të ketë shi më vonë? “

Kjo lloj përgjigjeje përfshin tendencën për të treguar fillimisht atë që nuk shkon, përpara konsiderimit nëse është gjëja e duhur. Rrënjët e këtij negativiteti qëndrojnë tek nevoja për të shmangur eksperienca pozitive, gjë që lidhet me kondicionin e anhedonisë; pra paaftësisë për të përjetuar kënaqësi nga eksperienca zakonisht të kënaqshme. Sipas disa studiuesve, prania e anhedonisë tek aleksitimikët tregon që problemi ka origjinë traumatike. Sipas kësaj teorie, këto persona mendojnë që nuk meritojnë të përjetojnë kënaqësi, dhe kështu zhvillojnë mekanizma bllokues të përjetimit të emocioneve.

o   Hipokondria

Hipokondria ose ankthi për shëndetin, lidhet me besimin që vuajnë nga një sëmundje e rëndë, e karakterizuar nga frika irracionale dhe obsesione për simptoma minimale në organizëm. Duke qenë se personat me aleksitimi nuk e kuptojnë që ndryshimet fiziologjike i përjetojnë për shkak të emocioneve, shoqërohen nga frika e vazhdueshme mos janë sëmurë.

o   Gjumë jo i qetë dhe pa ëndrra

Aleksitimia duket se është e lidhur me kualitet të dobët të gjumit. Një studim nga Bazydlo, Lumley dhe Roehrs(2001), u pa që individët me nivele më të larta të aleksitimisë kishin modele gjumi disfunskionale- ku shpenzohej më pak kohë në stadet e thella të gjumit, dhe më shumë kohë në stadet më të lehta. Kjo ka si pasojë ndjesinë e lodhjes fizike dhe mendore gjatë kohës që janë zgjuar. Në të njëjtën kohë kjo do të thotë edhe që individi sheh shumë pak ëndrra. Në rastet që ndodh përjetimi i ëndrrave, ato janë shumë të shkurtra dhe të pakuptimta.

o   Shpërthime të pavullnetshme të emocioneve

Disa individë me aleksitimi përjetojnë shpërthime të papritura të të qarit, të qeshurit, agresionit apo shfaqjeve të tjera emocionale, që nuk janë aspak në proporcion me situatën ku ndodhen apo stimujt e pranishëm. Kur i pyet për arsyen e këtyre reagimeve, ata nuk janë në gjendje ta lidhin shpërthimin e tyre me asnjë faktor specifik. Një shkak i mundshëm për këtë mendohet të jetë zhvendosja në kohë e përjetimeve të cilat nuk kanë patur reagimin e duhur në moment, por ndërkohë mblidhen dhe shfaqen në një tjetër moment të rastësishëm.

 

Vetëndihma. Disa këshilla për aleksitimikët.

o   Aleksitimia nuk duhet injoruar, por duhet njohur.

Nëse keni dëgjuar për aleksitiminë dhe keni dyshime që mund ta keni, merni kohën tuaj dhe lexoni më shumë rreth funksionimit dhe disfunksionimit të vetëdijes emocionale në jetën e përditshme.

o   Pranojeni veten tuaj.

Gjatë procesit të zbulimeve tuaja rreth aleksitimisë do kuptoni që ju nuk keni një personalitet të papërshtatshëm, por jeni disi ndryshe në një mënyrë që mund edhe t’ju sjellë shumë benefite nëse dini ta menaxhoni. Disa nga benefitet që kanë personat me aleksitimi përfshijnë besnikërinë në një marrëdhënie, aftësinë për të thënë atë që mendon siç e mendon, aftësi për të vënë re detaje, zakonisht kanë kujtesë më të mirë dhe janë më të rregullt e të organizuar. Të gjitha këto vlera janë të vlefshme e për më tepër të dëshirueshme dhe duke qenë të vetëdijshëm për to, duhet të vlerësohen me kujdes edhe pikat e dobëta edhe të forta të aleksitimisë.

o   Praktikoni si të detektoni emocionet.

Mësoni si ta familjarizoni veten me shenjat e mundshme të emocioneve specifike, si ritme të shpejta të zemrës, marrje fryme,etj. Mbase nuk do e bëni dot dallimin nëse këto simptoma i keni nga emocionet apo sepse keni probleme shëndetësore, por mjafton që ju ta vini në dyshim , të ngrini pyetjen nëse kjo mund të jetë një reagim emocional dhe t’i shmangni vetes disa vizita mjekësore. Ju mund të arrini të jeni të aftë të lidhni përjetime fiziologjike me evente të caktuara jetësore apo rrethanat në të cilat ndodheni. Prsh mund të kuptoni që shtrëngimi në kraharor që ndjeni kur fëmija juaj dëmtohet, vjen nga emocionet që po përjetoni dhe nuk do të thotë që keni probleme me zemrën.

o   Krijoni një rutinë të qëndrueshme.

Pa aftësinë për të rregulluar emocionet në mënyrë eficiente, bëhet e vështirë për të përballuar nivelet e ankthit që përjetoni kur e gjeni veten në situata të reja me njerëz të panjohur. Prandaj shumë individë me aleksitimi e gjejnë të vlefshme krijimin e një rutine të parashikueshme në mënyrë që të kontrollohet sasia e informacionit emocional me të cilin duhet të përballeni.

o   Krijoni marrëdhënie të shëndetshme suportuese.

Mbi të gjitha është e rëndësishme që të keni pranë persona që përpiqen t ju kuptojnë dhe mbështesin. Ky person mund të jetë partneri juaj, një shok , një koleg apo një terapist. Ata mund t’ju ndihmojnë në të kuptuarin tuaj më mirë drejt emocioneve.

o   Merrni kohën tuaj për të mbledhur mendimet.

Studimet për aleksitiminë kanë treguar që personat me aneksitimi, mund edhe të jenë në gjendje të procesojnë disa të dhëna emocionale, por kjo gjë kërkon më shumë kohë, duke qenë se ata përdorin pjesë të ndryshme të trurit. Ajo që nga një person pa aleksitimi procesohet brenda një milisekonde, për aleksitimikët mund të kërkojë një sekondë deri në disa minuta apo orë.

Shporta0
Nuk ka produkte në shportë
Mbyll Shportën
0