Mëngjesin, “ajo” (femra) e nis me ritmin e tij të zhurmshëm. Duhet patjetër
- të zgjohet e para,
- të përgatis mëngjesin,
- të bëjë gati fëmijët,
- të bëjë gati veshjen e bashkëshortit (e nëse ai del I parregullt, fajin këtu e ka gjithmonë “ajo”),
- duhet të bëhet gati për veten e saj (do t’i duhet kohë që të jetë pothuajse perfekte sepse e presin në punë dhe fillojnë komentet) dhe
- i duhet të dali gjithmonë duke nxituar që fëmijët të arrijnë në kohën e duhur në shkollë
Ndërkohë nëse mungon diçka, i drejtohen vetëm asaj!
Mirëpo, pasi ka mbërritur në vendin e punës, aty fillon sfida ose “lufta jashtë dere”! I duhet me patjetër që të bëjë gjithçka në orarin e përcaktuar, njëherësh duhet ta ketë mendjen te fëmijët apo te ndonjë i afërm tjetër nëse kanë patur nevojë për të kohët e fundit, duhet të jetë në koherent me të gjitha lajmet e fundit se çfarë ndodh përeth, duhet të vazhdojë të bejë make up dhe të kuqin e buzëve, madie edhe pas drekës që të mos duket e lodhur sepse një femër duhet të jetë e gjallëruar gjatë gjithë kohës.
Duke u kthyer për në shtëpi duhet të ketë përgatitur listën e gjërave që i duhen për shtëpinë (e nëse ia ka thënë bashkëshortit, duhet t’ia rikujtojë ose të sigurohet që ai t’i ketë marrë sepse mundet edhe të ketë harruar).
Shkon në shtëpi dhe vazhdon ritmi: gatimi, larja, përgatitja për të nesërmen, kontrolli i detyrave të fëmijëve, kontrolli i face book për të pare se çka ndodhur, të dëgjojë shqetësimet që kanë pasur fëmijët gjatë ditës (sepse ata mund t’ia shprehin vetëm mamit) ose t’i ndjeki në lojrat e tyre.
Përgatitja për në dhomën e gjumit, por të mos harrojmë edhe pjesën tjetër e të qenurit femër … duhet të bësh edhe dashuri/seks.
Ky është ritmi i një femre në ditët e sotme (po i lëmë meshkujt jashtë sepse këtë herë po flasim vetëm për femrat), një ritëm që nuk e dime se kur do të përfundojë dhe në cilat pjesë të jetës dhe shoqërisë ndikon.
Po japim rastin e një femre të shkolluar, në karrierë dhe të pamartuar. Ajo flet dhe qanë sepse sapo ka dalë nga një mbledhje ku e kanë thirrur dhe kanë diskutuar nëse detyrat që i janë caktuar janë përmbushur në afatin e kërkuar edhe nëse ajo ka bërë maksimumin e saj. Në të njëjtën kohë është duke ndjekur edhe doktoraturën diku jashtë vendit dhe duhet të marri leje nga puna dhe shefi duhet të jetë i mirëkuptueshëm për këtë gjë. Ndërsa i dashuri kërkon vëmendjen e vet dhe ndihet keq që nuk ka marrë aq sa mendon se i takon atij, në këtë marrëdhënie. Shoqet dhe shokët mërziten se kohët e fundit ajo nuk ka patur kohë as për ata. E nga ana tjetër është mamaja që merrë në telefon dhe impenjohet nëse i ka blerë çfarë i ka kërkuar, e kështu me rradhë lista vazhdon. Në një moment kjo vajzë e shkolluar, inteligjente dhe shumë e zonja në profesionin e vet, harron veten dhe kështu ankthi i dërgon menjëherë një zile lajmëruese që të ndalojë, të marri frymë thellë dhe të qetësohet.
Ndërsa femra tjetër është e martuar, me fëmijë, me një punë shumë të mirë dhe me shkollim të vazhdueshëm profesional. Ajo duhet të ngrihet në mëngjes, të dërgojë fëmijën te nëna e vet (e ka akoma këtë luks), shkon në punë dhe gjithë ditën ndodhet nën presionin nëse stafi është sjellë mirë me klientët, pasi ka përfunduar punën shkon merrë fëmijën dhe pastaj kthehet në shtëpi ku fillon pjesa tjetër e ditës. Bën gati ushqimin për vete dhe për fëmijën (përpiqet që ushqimi të jetë sa më i shëndetshëm) dhe fillon përgatitjet për të nesërmen. Ajo duhet të jetë edhe nënë shumë e mirë edhe bashkëshorte e cila duhet të ketë “kujdes” se bashkëshorti është pak xheloz, të jetë edhe vajzë e mirë për prindërit e vet edhe drejtuese e mirë sepse nuk dëshiron që t’iu shkaktoj të tjerëve stres të panevojshëm. Në këtë mënyrë harron tërësishtë veten pasi është përpjekur të kënaqi gjithë të tjerët. Përfundimi: fillon të qajë dhe të inatoset me veten.
Në të dyja rastet (janë të dyja në të njëjtën moshë) po flasim për femra të cilat kanë një punë dhe të ardhurat e tyre, por mos të harrojmë se nuk është vetëm ky realitet. Ka femra të tjera të cilat duhet të luftojnë edhe më fort për të mbijetuar ose që nuk kanë asnjë mundësi punësimi. Pyetja vazhdon se ku jemi duke shkuar nëse fjala kryesore është “duhet”?! A mundemi t’i kushtojmë më shumë kohë vetes sepse sa më të qetë të jemi, aq më shumë mundësi do të kemi për t’u dhënë njerëzve dashuri, përkujdesje, mirësi dhe përkushtim, “mision” të cilin e kem zgjedhur që në momentin që kemi lindur femra?!
A duhet që një femër të vlejë vetëm kur është e re dhe e bukur apo “ajo” ka vlerat e mrekullueshme deri në momentin e largimit nga kjo jetë?! Dikur më thoshte një anglez se edhe doktoreshën e përgjithshme zgjidhe femër sepse të jep më shumë përkujdesje dhe është me e ndjeshme në dhimbjen tënde. Kjo doktoreshë, avokate, biznesmene, oficere policie, bujke në fshat, kujdestare fëmijësh, e kështu me rradhë, është fillimisht femër e cila ka forcën të përballet dhe të fitojë mbi gjithçka sepse në mëngjes ngrihet me forcën se do t’i “shërbej” dikujt. Po e përfundoj me fjalët e një femre e cila është në fillim të 50-tave: Do të ishte mirë që të kisha një fëmijë tjetër tani sepse ata të dy që kam janë rritur dhe unë ndihem e dobishme dhe e vlefshme kur i shërbej dikujt!