Ç’është sindroma Imposter?
Sindroma Imposter është një përvojë e brendshme psikologjike në të cilën individi mendon që nuk është aq i mirë sa e perceptojnë të tjerët. Individi ndjen që është një mashtrim, që është i rremë, e si pasojë pret momentin që do të demaskohet.
Sindroma imposter dallohet nga 3 karakteristika:
- Besimi që të tjerët kanë një pikëpamje të ekzagjeruar e jorealistike mbi aftësitë e tua.
- Frika se të tjerët do të të zbulojnë dhe të ekspozojnë fallcitetin tënd.
- Atribuimi i suksesit ndaj faktorëve të jashtëm (si fati) në një mënyrë të vazhdueshme.
Kush preket nga sindroma Imposter?
Sindroma Imposter është një përvojë, nuk është një çrregullim mendor apo sëmundje. Në një fazë të caktuar të jetës, çdo kush mund të preket nga sindroma Imposter. Megjithatë janë disa nxitës të caktuar që mund të ndikojnë në rritjen e vulnerabilitetit për prekjen nga kjo sindromë. Këto nxitës lidhen kryesisht me periudhat e ndryshimit a tranzicionit, si për shembull:
- Kur kualifikohesh për herë të parë në një fushë
Këtu mund të përfshihet diplomimi, kualifikimi i parë profesional apo çdo gjë tjetër që do të thotë që tashmë individi mund të punojë në një profesion.
- Kur fillon një kurs apo eksperiencë të re edukative
Këtu mund të përfshihet një i ri që sapo ka nisur universitetin apo edhe një person i maturuar që nis trajnime të reja.
- Kur ngrihesh në detyrë
Ngritja në detyrë është shumë emocionuese për pjesën më të madhe të njerëzve, por për disa ngritja në detyrë mund të shërbejë si një katalizator i ndjesive të mbivlerësimit, mbipromovimit si dhe frikës se mos të tjerët do e zbulojnë që kjo ngritje në detyrë nuk është e merituar.
Kategoritë më të rrezikuara për t’u prekur nga Sindroma Imposter janë studentët, akademikët, të punësuarit në fusha kreative, njerëzit shumë të suksesshëm (sidomos ata që e arrijnë suksesin shumë shpejt), ata që kanë prindër shumë të suksesshëm, grupet e papërfaqësuara në masë (minoritetet etnike, LGBTQ, individët me aftësi ndryshe…), të vetëpunësuarit, etj.
Rreth 82 % e njerëzve pranojnë të kenë përjetuar fenomenin Imposter.
Persona të famshëm që janë prekur nga Sindroma Imposter
Aktori Tom Hanks, që ka fituar dy “Academy Awards” dhe është shfaqur në më shumë se 70 filma e shfaqje televizive, u shpreh në një intervistë, ‘Kur do e kuptojnë këta që në të vërtetë, unë jam një mashtrim, e të më marrin çdo gjë që kam?’
Aktorja Kate Winslet, protagonistja e Titanikut, iu shpreh autores Susan Pinker, ‘Ndonjëherë zgjohem në mëngjes, përpara se të shkoj në xhirime dhe mendoj, unë nuk e bëj dot këtë, unë jam një mashtrim.’
Maya Angelou, autore dhe poete amerikane, që ka fituar 3 çmime “Grammy” dhe është nominuar për çmimet “Pulitzer” dhe “Tony Award”, është shprehur, ‘Kam shkruar 11 libra, e megjithatë secilën herë mendoj “Oh ata do ta marrin vesh tani. Unë kam luajtur me të gjithë dhe tani ata do të më zbulojnë.”
Meryl Streep, aktorja më e nominuar për çmime në historinë e aktrimit, ka thënë “Unë gjithsesi nuk di të aktroj”.
“Unë po përjetoj Sindromën Imposter. Si të veproj?”
- Shqyrto faktet.
Mënyra më e mirë për të menaxhuar ndjesitë e Sindromës Imposter, njëlloj si të gjitha ndjesitë e tjera negative, është duke e kthyer vëmendjen tek mendimet e pabazuara që qëndrojnë në thelb të tyre. Monitoro bisedën tënde të brendshme. Mund të provosh një ushtrim të thjeshtë ku ti e pyet veten se çfarë do t’i thoje një miku që minimizon arritjet e tij dhe të njëjtat fjalë t’ja thuash edhe vetes.
- Ndaji ndjenjat e tua me dikë.
Edhe nëse vetë nuk i sheh dot faktet e tua, t’i ndash mendimet e ndjesitë e fenomenit Imposter me dikë, jo vetëm që do të ndikojë në reduktimin e vetmisë për ty, por gjithashtu do hapësh një derë ku të tjerët mund të të tregojnë se çfarë shohin e vlerësojnë tek ti. Bëj kujdes që njeriu me të cilin i ndan ndjenjat e tua, të jetë një njeri i besueshëm, mbase larg rrethit profesional, në mënyrë që reagimi të mos jetë rezultat i ndjesive të mundshme të konkurencës.
- Festo për çdo sukses tëndin.
Individët me Sindromën Imposter kanë prirjen t’i zbehin sukseset e tyre. Nëse dikush të komplimenton a të përgëzon, tregohu i vëmendshëm. Mos dil me të shpejtë nga situata, por fokusohu në mënyrën se si do të përgjigjesh, duke patur qëllim ta pranosh komplimentin dhe të flasësh sado pak mirë për veten. Të marrësh kohë për të përgëzuar veten, mund të të ndihmojë të brendësosh suksesin tënd.
Ndërkohë që ti mund të vetëreflektosh për përpjekjet që ke bërë, edhe nxitësit e jashtëm e konkretë janë mjaft të rëndësishëm. Për shembull nëse merr një e-mail ku punimi yt vlerësohet, printoje dhe ruaje atë e-mail.
- Hiq dorë nga perfeksionizmi.
Nuk është nevoja që të ulësh standartet e tua, por t’i përshtasësh ato në mënyrë realistike, mund ta bëjë më të lehtë për ty t’i shohësh arritjet e tua dhe t’i vlerësosh ato. Në vend që të fokusohesh tek perfeksioni, është më mirë të fokusohesh në progresin tënd.
- Praktiko Mindfulness
Nëpërmjet Mindfulness ti mund të heqësh dorë nga perfeksionizmi. Të qenurit Mindful do të thotë të jesh plotësisht i pranishëm në të tashmen. Edhe pse mendimet e fenomenit Imposter mund të jenë të pavetëdijshme, me anë të Mindfulness ti vetëdijësohesh dhe mëson të njohësh ndjesitë e tua të frikës si dhe ta pranosh veten ashtu siç je, pavarësisht arritjeve të tua.
- Ndaji dështimet e tua me të tjerët.
Të dëgjosh mendimet e të tjerëve për ty, nuk është mënyra e vetme se si mund ta tejkaloni Sindromën Imposter. Kur ti i ndan dështimet e tua me një grup njerëzish, ti krijon një panoramë më të qartë të sfidave e mundimeve edhe të të tjerëve. Në të njëjtën kohë të tjerët mund të të ndihmojnë të marrësh mësim nga dështimet, në vend që të dëshpërohesh për to.
- Thjesht pranoje.
Mbaj mend që Sindroma Imposter mund të prekë këdo në periudha të ndryshme të jetës. Ti do të ndeshesh sërish me role dhe eksperienca të reja në të ardhmen, kështu që ndjesi të ngjashme mund të lindin sërish. Është e rëndësishme të vlerësosh progresin tënd. Ndërkohë që mëson të përballesh me këtë sindromë, ndikimi i saj në mirëqenien tënde do të jetë gjithnjë e në zbritje.